Europa League

Milan, ka ardhur momenti i “specialistit”

Humbja e pësuar kundër Lazio-s i ka hequr disa siguri Milan-it të Vincenzo Montella-s. Gjashtë fitoret e njëpasnjëshme kishin krijuar disa iluzione, ndërsa disfata e “Olimpico”-s ka treguar se kuqezinjtë janë një ekip akoma në ndërtim e sipër. Pas katër shuplakave në kampionat, ka ardhur momenti i duhur për të ngritur kokën: kundër Austrisë së Vjenës nuk pranohen gabime. Për ta nisur në mënyrën e duhur aventurën europiane, Montella ka vendosur t’i besojë specialistit të këtij kompeticioni, Nikola Kalinic.

Për trajnerin kuqezi ish-sulmuesi i Fiorentina-s ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë, pavarësisht se klubi ka kërkuar me ngulm, por pa sukses, një sulmues “big”. Nga momenti i debutimit të tij në Europa League, në sezonin 2012/13, sulmuesi kroat ka realizuar në total 13 gola, 7 me fanellën e Dnipro, që e ka udhëhequr deri në finale, dhe 6 me atë të Fiorentina-s. Më mirë se ai ka bërë vetëm Aduriz (18), Gameiro (17) dhe Soriano (15).

Austria e Vjenës do të jetë një provë e rëndësishme për Kalinic, i cili do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë si titullar me fanellën e Milan. Montella dhe tifozët presin shumë gola nga ai. Me pak fjalë, është një rast që nuk duhet humbur, për t’i treguar të gjithëve se është ai sulmuesi që i duhet kuqezinjve dhe se 25 milionë eurot e shpenzuara për të nuk kanë qenë një investim i gabuar.

Më shumë nga Europa League