Seria A

Milan nuk “buzëqesh” në “San Paolo” prej 7 vitesh

Napoli-Milan do të jetë një nga supersfidat e kësaj fundjave. Napoli ka marrë 32 pikë në 12 ndeshjet e luajtura deri tani (10 fitore, 2 barazime), por Juventus është vetëm një pikë larg pas barazimit pa gola të regjistruar mes ekipit të Sarri-t dhe Chievo-s në javën e fundit të kampionatit. Pavarësisht se ka kontrolluar ndeshjen gjatë gjithë kohës, Hysaj me shokë nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e golit. Kjo gjë nuk mund të ndodhë edhe kundër Milan-it, pasi mund t’i kushtojë atyre vendin e parë në renditje.

Kuqezinjtë do të paraqiten në “San Paolo” pas fitores 2-0 të marrë në javën e fundit në fushën e Sassuolo-s. Gjithsesi, skuadra e Montella-s nuk ka fituar asnjë nga përballjet me ekipet e mëdha të luajtura në këtë sezon. Ata janë mundur kundër Juventus, Inter, Roma dhe Lazio. Shpenzimet e mëdha të bëra në merkaton e verës krijuan idenë se “Djalli” do ta siguronte me lehtësi një pozicionim mes katër të parëve në renditje, por gjërat nuk kanë shkuar kështu. Një fitore sot, do të ishte një hap shumë i madh përpara për milanezët.

Por nuk do të jetë aspak e lehtë për miqtë, duke parë se Napoli nuk ka humbur asnjë nga 10 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi. Gjithashtu, ata kanë shënuar të paktën 3 gola në 7 nga 8 takimet e fundit. Në 6 ndeshjet e fundit mes këtyre dy ekipeve janë realizuar 20 gola: 14 Napoli, 6 Milan. Kuqezinjtë nuk fitojnë një ndeshje të kampionatit në fushën e Napoli-t prej shtatë vitesh.

Më shumë nga Seria A