Seria A

Milan ofron 70 milionë euro plus 2 lojtarë për Belottin

André Silva është kuqezi tashmë, Nikola Kalinic mund të bëhet brenda fundit të kësaj jave. Pavarësisht se sulmi është sistemuar, Milan ka vendosur të bëjë një tentativë të fundit për Andrea Belotti-n: ëndrra e merkatos e të gjithë tifozëve të “Djallit”. Pasi ka siguruar shërbimet e Silva-s, drejtori sportiv Mirabelli ka dashur të takohet gjithsesi me kolegun Petrachi në zyrat e klubit kuqezi, për të folur për “Gjelin”. Çmimi i fiksuar nga presidenti i Torino-s Urbano Cairo mbetet 100 milionë euro, por drejtuesi milanist ka vendosur të bëjë një ofertë të re për të siguruar qendërsulmuesin italian. Oferta e parë është refuzuar kategorikisht nga Cairo, por tani milanezët kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të paguajnë 60/70 milionë euro plus dy lojtarë që pëlqehen nga Sinisa Mihajlovic.

Sipas shtypit italian, Torino do të kishte mundësinë të zgjidhte mes Juraj Kucka, M’Baye Niang, Christian Zapata dhe Gianluca Lapadula. Por, me rastin e dhënies së çmimit “Maestrelli”, presidenti Cairo ka theksuar se: “Belotti është i zënë me kombëtaren dhe me martesën, ku jam ftuar edhe unë. Më pas do të kërkojmë të kuptojmë se cila është dëshira e tij. Unë mendoj se do të qëndrojë në Torino. Nëse do të jetë kështu, unë do ta mbaja me gjithë qejf, duke parë se ka edhe një kontratë deri në 2021-in dhe nuk e shes për më pak se 100 milionë euro. Gjithsesi, nëse nuk ka dëshirë të largohet, mund ta refuzojë transferimin”.

Më shumë nga Seria A