Seria A

Milan si Benevento, magjia e Romagnoli-t s’mjafton kundër Napoli-t

Milan ka pësuar humbjen e radhës në kampionat dhe të tretën radhazi kundër Napoli-t. Këta të fundit kanë mundur kuqezinjtë me rezultatin 2-1. Situata që po kalon skuadra e Montella-s shpjegohet qartë me një statistikë të verifikuar në pjesën e parë. Milan, në fakt, është bërë skuadra e dytë e këtij sezoni në Serinë A që nuk ka prekur asnjë top në zonën e rreptësisë së kundërshtarit në pjesën e parë. Ekipi tjetër është Benevento, skuadra që mban vendin e fundit në renditje, me 12 humbje të pësuara në 12 ndeshje të luajtura.

Takimi i zhvilluar në “San Paolo”, siç mund të kuptohet edhe nga rezultati ka qenë i ekuilibruar, por skuadra e Sarri-t, ndryshe nga ajo e Montella-s, i ka idetë e qartë dhe ka interpretues më cilësorë. Kjo është konfirmuar në minutën 33-të kur Jorginho ka dhënë një pasim perfekt për Lorenzo Insgine, i cili është mbajtur në lojë nga Romagnoli dhe ka mposhtur me lehtësi portierin Donnarumma. Milanezët kanë provuar të reagojnë, por tentativat e tyre janë neutralizuar me lehtësi nga mbrojtja vendase.

Ndeshja është mbyllur përfundimisht në minutën e 73-të kur Napoli ka realizuar golin e dytë me Zielinski pas një kundërsulmi të shpejtë. Bonuçi me shokë kanë protestuar për një pozicion jashtë loje të mesfushorit polak, por arbitri Doveri nuk ka qenë dakord. Romagnoli ka ngushtuar diferencat me një gol të bukur nga jashtë zone, por ka qenë shumë pak dhe shumë vonë për kuqezinjtë. Falë kësaj fitore napolitanët kanë shkuar në kuotën e 35 pikëve, katër më shumë se ndjekësja më e afërt, Juventus, që do të luajë nesër në fushën e Sampdoria-s. Milan mbetet në vendin e shtatë me 19 pikë.

Më shumë nga Seria A