Champions League

“Milan si United, në Champions shkojmë përmes Europa League”

Milan duket se e ka të pamundur të sigurojë një vend direkt në Champions League, ndaj po sheh alternativa të tjerë për të luajtur në skenat e mëdha të Europës. Dhe ka vetëm një mënyrë për ta realizuar këtë, duke fituar turneun e Europa League. Marco Fassone, administratori i deleguar i Milanit, beson se kuqezinjtë mund të përsëritin atë që Manchester United bëri sezonin e kaluar, që duke fituar në Europa League u kualifikua këtë sezon në Champions League. “Mund të ndjekim shembullin e United. Europa League është një trofe që na mungon dhe synojmë ta fitojmë, jo vetëm për prestigj, por edhe sepse na hap dyert për në Champions”, tha Fassone.

Marco Fassone, administratori i deleguar i Milanit

Fassone pranon se në kampionat shanset që kuqezinjtë të kapin vendin e katërt janë të pakta. “E dimë që ka skuadra më të forta se sa ne, ndërkohë që Europa League do të nisë në shkurt dhe kemi kohë deri atëherë për të bërë një planifikim më të mirë. Gattuso ka kohën e duhur për të ringritur në këmbë ekipin dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë në janar, ndonjë korrigjim të vogël. Por nuk duhet të lëmë pas si mundësi kualifikimin në Champions përmes turneut më të vogël Europian”, u shpreh Marco Fassone, që beson se skuadra do të reagojë më mirë tani që në stol është ulur si trajner Gennaro Gattuso.

Më shumë nga Champions League