Seria A

Milani nuk i besoi, Cristante është heroi i Atalanta-s

Nata e Liverpool, nata e “Goodison Park” është nata e historisë për Atalanta-n që, 27 vite pas ecurisë së suksesshme në ish-Kupën UEFA, me bergamaskët që e ndalën vrapin në çerekfinale, të eliminuar nga Inter-i i Trapattoni-t, do të luajnë në fazën me eliminim direkt pas fitores 5-1 të arritur kundër Everton. Fitore kjo që i ka lejuar ata të fitojnë Grupin E. Një rezultat fantastik, i jashtëzakonshëm, por që ishte i paimagjinueshëm në ditën kur është hedhur shorti.

Megjithatë, falë entuziazmit, shpirtit të sakrificës, përqendrimit, dëshirës, vendosmërisë dhe arrogancës së debutuesve dhe të të rinjve të shumtë në përbërje, lojtarët e Gasperini-t kanë tejkaluar çdo parashikim me 3 fitore dhe 2 barazime, që janë shoqëruar me 13 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar. Protagonisti i suksesit të fundit ka qenë mesfushori Bryan Cristante, auto i dy golave në takimin e të enjtes në mbrëmje. Nga i nënvlerësuar te Milan te hero i ekipit zikaltër, kjo ka qenë trajektorja e talentit friulan.

Në radhët e kuqezinjve, ai është rritur mirë nën vëmendjen e trajnerëve të klubit milanez, të cilët janë kujdesur për të dhe e kanë konsideruar si një prej talenteve më të mira të moshave. Një fazë e parë që e ndihmoi atë të bëhej pjesë e ekipit të parë dhe të bëhej, në dhjetor të 2011-ës në Champions League kundër Viktoria Plzen (2-2), lojtari më i ri i historisë së kuqezinjve që ka debutuar në një kompeticion ndërkombëtar. Më pas, në shkurt të 2013-ës, kur ishte 17 vjeç, ka marrë çmimin “Golden Boy” në kampionatin e Viareggio-s. 6 golat e realizuar në 60 ndeshje me të rinjtë i kanë hapur dyert e debutimit në Serinë A kundër Chievo-s, në moshën 18 vjeç, më 10 nëntor të 2013-ës dhe, mëpas, ka ardhur debutimi nga minuta e parë, e shoqëruar me gol, janarin pasardhës kundër të ardhmes së tij të afërt: Atalanta-s. E gjitha kjo, duke mbajtur numrin 24 në nder të idhullit të tij sportiv: Kobe Bryant.

Dukej gjitha e përkryer, me Cristante-n që duhej të kthehej në simbolin e një Milan-i që ishte në fazën e rindërtimit, gati për një fanellë si titullar. Por klubi ka marrë disa vendime të ndryshme. Në fillim ka blerë Essien në janar të 2014-ës, duke zvogëluar mundësinë e rritjes për lojtarin e ri dhe, më pas, ka pranuar ofertën e bërë nga Benfica për 5.2 milionë euro në verën e 2014-ës. Milan, pavarësisht kalimit të Inzaghi-t në drejtim të ekipit, trajneri i Cristante-s tek ekipi i moshave, nuk ka patur besim tek i riu dhe e ka larguar.

Viti i parë në Portugali ka qenë i vështirë, me 1 gol, 1 asist dhe 15 ndeshje në total, 3 prej të cilave në Champions League, por Benfica ka fituar titullin në fund të sezonit. Viti më i keq i karrierës së tij ka qenë ai që kaloi (2015/16), me lojtarin që është ndarë mes Benfica-s (5 ndeshje në total) dhe një transferim në janar, i përkohshëm, te Palermo ku ka luajtur vetëm 93 minuta të ndara në katër ndeshje, ndërsa frika se kishte humbur shansin e jetës bëhej gjithmonë dhe më e madhe. Por verën pasardhës ka filluar rimëkëmbja. Benfica, përsëri, e ka dhënë në huazim, këtë herë te Pescara, e sapo ngjitur në Serinë A. këtu, me Oddo-n në stol, ka fituar menjëherë një vend si titullar.

Aty, në rrugëtimin e vështirë të bardhebluve, Cristante ka treguar aftësitë e fituara me të rinjtë e kuqezinjve. Kështu, ndërkohë që Pescara fundosej në kampionat (0.44 pikë për ndeshje në atë fillim sezoni me Bryan në fushë), numri 6 ka tërhequr vëmendjen e ekipeve të tjera dhe në merkaton e dimrit është transferuar tek Atalanta e Gasperini-t. Formula e transferimit ka qenë fitimprurëse për të gjithë: i huazuar deri në qershorin e 2017-ës me një opsion për zgjatjen e huazimit dhe një klauzolë për blerjen e tij përfundimtare në verën e 2018-ës, për 4 milionë euro. Një investim i goditur nga bergamaskët dhe një tjetër gabim në merkaton nga drejtuesi e Milan, që duket se kanë humbur vizionin në vitet e fundit.

Më shumë nga Seria A