• Milinkoviç: Dua 4 lojtarë që bëjnë diferencën, përsëritim 2 fazat e para

    Publikuar: 11 Jan 1:18

    Luftëtari ka surprizuar në dy fazat e para të kampionatit duke zhvilluar ndeshje cilësore dhe me meritë qëndron në vendin e 5-t me 22 pikë pas 18 ndeshjesh, por tani fillon më e vështira. Objektivi kryesor i bluzinjve është të sigurojnë mbijetesën dhe për këtë duhen afrime cilësore. Kështu shprehet trajneri serb Mladen Milinkoviç për “Supersport” nga Turqia, aty ku skuadra po përgatitet për të marrë ngarkesën e duhur për pjesën e mbetur të kampionatit.

    “Ne do të përpiqemi të luajmë futboll të bukur në dy fazat e mbetura, por për momentin kemi vetëm 14 lojtarë të aftë për Superligën. Nëse duhet të mbajmë të njëjtin ritëm, na nevojiten të paktën edhe 4 lojtarë, sepse për pjesën e mbetur do të ketë më shumë kartonë. Duhen 18 lojtarë të aftë për të luajtur në formacion. Presim 5 lojtarë të bashkohen me skuadrën, kemi disa të rinj në provë, por ata nuk janë gati të na ndihmojnë për pjesën e dytë të sezonit. Me disa lojtarë kemi bërë marrëveshje e presim vizat që të mbërrijnë, me një tjetër kemi kontratë. Nëse vijnë të gjithë, atëherë do të vendosim se në cilin pozicion do të marrim lojtarë shqiptarë”.

    Sa i përket përgatitores së janarit, trajneri serb thotë se është i kënaqur që presidenti i ka plotësuar të gjitha kushtet. “Për mua është normale që të gjitha skuadrat të kenë kushte të mira për stërvitje, por fatkeqësisht disa ekipe nuk i kanë mundësitë financiare. Ne jemi shumë të lumtur që presidenti ynë e di sesa e rëndësishme është për një skuadër të përgatitet me kushte të mira. Hoteli, fushat gjithçka është në rregull. Krahasuar me Shqipërinë ku është shumë ftohtë, jemi shumë mirë këtu”, deklaroi Milinkoviç që më tej sqaroi se mbrojtësi Edy-Nicolas Boyom nuk është bashkuar akoma me skuadrën për shkak të situatës së përkeqësuar të motit në Stamboll.


    Lexo postimet e tjera

    Breaking