Kampionati Shqiptar

Milinkovic: Gjici nuk ka ndërhyrë kurrë në punën time!

Si çdo javë, para ndeshjeve të radhës, edhe sot tranjeri Mlladen Milikoviç doli para gezatarëve. Ai foli në prag sfidës me Lushnjën në “Zeqir Ymeri”, e cila do të luhet në kuadrin e javës së 14-të të Kategorisë Superiore. Në qendër të vëmendjes ishte shkrimi i gazetës “Panorama Sport” në lidhje me mbledhjen e stafit drejtues dhe presidentit, si dhe raportet e tij me menaxherin Halili. Trajneri i kampionëve në fuqi të vendit dha këtë përgjigje të qartë dhe të shkoqur: “Me z.Halili nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë konflik. Ato që shkruan gazeta për dialogun e zhvilluar në mbledhje janë tërësisht të pavërteta. Unë kam dashur ta hedh vetë gazetën në gjyq për këto shpifje, por me qenë se këtë veprim e ndërmori klubi, u tërhoqa. Ka qenë zoti Halili, ai që më ka prezantuar te presidenti Safet Gjici. Dhe këtë e ka bërë se ka besuar te mua. Kemi pasur dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë, pavarësisht debateve konstruktive për ndeshje e lojtarë të veçantë. Këtë çështje e deklaroj të mbyllur. E rëndësishme për mua është të kthehemi te fitorja dhe për këtë po i kushtojmë rëndësi kësaj ndeshjeje. Besoj se ekipi do të reagojë mirë dhe do të marrë fitoren, jo vetëm në këtë ndeshje po dhe në vazhdimësi”.

Përsa i përket formacionit, Milinkoviç nuk do të ketë të gatshëm Kale, i cili është me katër kartona të verdhë. Krkotiç dhe Aliev nuk janë të rikuperuar plotësisht, ndaj për këtë do t’i duhet të ndryshojë diçka. Objektivi i 9 pikëve ka qenë në vëmendjen e gazetarëve: “Patjetër që duhen marrë jo vetëm këto pikë, por edhe të tjerat, pasi besojmë në marrjen e titullit kampion. Po t’i referohemi fazës së parë të vitit të kaluar jemi në të njëjtat rezultate. Nëse nuk arrijmë objektivin e këtyre 9 pikëve, megjithëse kam një marrëdhënie korrekte dhe të vërtetë me presidentin, do të respektoj çdolloj vendimi që do të marrë ai”. I pyetur nëse ka ndërhyrje në formacion, Milinkoviç sqaroi: “U shpreha edhe më parë se kemi një marrëdhënie korrekte. Ai kurrë nuk ka ndërhyrë në punën time, as te tranjerët e tjerë që kanë qenë te Kukësi para meje, me të cilët kam folur. Edhe ata më kanë thënë të njëjtën gjë. Ne flasim 3-4 herë në javë, interesohet për ekipin, si për gjendjen psikologjike, edhe për atë fizike”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar