Futboll

Milinkovic: “I mërzitur… pësuam dy gola në 5’ minutat e fundit!”

Skuadra e Kuësit fitoi sot me rezultatin 4-2 ndaj Teutës, duke ruajtur ritmin e Skënderbeut kryesues të kampionatit dhe njëherësh për të qenë kërcënuesi i vetëm ndaj korçarëve, ndonëse me tre pikë më pak se bardhekuqtë, kur kanë kaluar 6 javë nga fillimi i kampionatit. I kënaqur me rezultatin dhe me lojën në përgjithësi, por i tmerruar nga ato pesë minuta të fundit të takimit, kur Kukësi pësoi dy gola, trajneri i verilindorëve, Mlladen Milinkovic, ka komentuar performancën në tërësi të kampionëve në fuqi.

“Jam shumë i kënaqur me rezultatin dhe paraqitjen e sotme, por gjithashtu jam shumë i mërzitur me ato pesë minuta të fundit të takimit. Kur në epërsi me tre gola dhe me vetëm pak minuta nga përfundimi i ndeshjes, ekipi duhet të luajë qetë dhe të menaxhojë rezultatin, pa pësuar gol. Unë jam shumë i kënaqur pasi kishim probleme me dëmtimet para kësaj ndeshje. Aljev u fut në pjesën e dytë dhe shënoi 2 gola. Jam shumë i kënaqur që Aljev u fut në pjesën e dytë dhe shënoi, por le të jetë i mërzitur. Lojtarëve që u jepet shansi duhet të luajnë të gjithë lojën dhe jo vetëm pjesën e parë. Asnjë futbollist nuk ndihet mirë nëse nuk është në formacion dhe sidomos lojtarët e huaj. Për mua rëndësi ka që ekipi të fitojë ndeshjen dhe të luaj mirë. Se kush shënon, apo se kush luan nuk ka rëndësi për mua. Nuk deshëm të rezikonin të luanim me tre sulmuese sepse Teuta ka mesfushë shumë të mirë”, deklaroi ndër të tjera trajneri Milinkovic.

Më shumë nga Futboll