• 11 shkodranë “të zakonshëm” ndalën “milionerët” e Partizanit

    Publikuar: 17 Apr 2:35

    Shumëkush e ka konsideruar një sfidë ekipesh tradicionale të futbollit shqiptar. Të tjerë, një sfidë trajnerësh, mes Cungut dhe Starovës. Ka pasur mendime nëse do të ishte edhe një sfidë mes dy tifozërive. Por, në fakt, sfida e vërtetë ka qenë ajo e fushës së blertë; në mes futbollistëve, ku të bën përshtypje një fakt shumë interesant. Përballë “milionerëve” të Partizanit, të mbledhur nga drejtuesit e këtij klubi nga vende, qytete e shtete të ndryshme, kanë qenë 10 shkodranë. Madje 11, sepse edhe Ditmar Bicaj është me origjinë shkodrane. Një fakt shumë interesant, kur ke parasysh se plot 5 prej këtyre futbollistëve janë 21 vjeç e poshtë. Mungesa e disa titullarëve ka bërë që stafi teknik i kuqebluve të eksperimentojë jo pak në formacionin e djeshëm. Dhe në fakt ka “çuditur” jo pak. Kjo, sepse mirë që ka lënë prej javësh në stol portierin malazez, Agoviç, por ai nuk i ka besuar këtë herë as “jabanxhinjve” të tjerë, mbrojtësit Cicmil, mesfushorit Mulemo dhe sulmuesit Pepa. Cungu e thotë hapur arsyen pse ka vendosur në këtë mënyrë:

    “Kam besuar gjithmonë te shkodranët e këtë nuk e them për lokalizëm. Shkodra, duke qenë burim talentesh, djepi dhe nëna e futbollit shqiptar, natyrshëm që ka nxjerrë futbollistë, talente e lojtarë me cilësi shumë të mira, por ky ekip është shumë i ri dhe kanë nevojë për t’u pjekur, ka nevojë për t’u rritur sërish. Për këtë arsye, çdo ekip ka nevojë për përforcime cilësore. Në ndeshjen ndaj Partizanit dua të saktësoj se në fushë Vllaznia ka patur 11 futbollistë shkodranë, çka besoj se është një rekord në futbollin shqiptar. Thashë 11, sepse edhe Bicaj është djalë shkodret, është me origjinë shkodrane”. Selimaj, Gurishta, Bicaj, Pjeshka, Shtubina, Gocaj, Tafili, Kruja, Çinari, Kalaja e Hebaj kanë ndalur dje emra të tillë si Ekuban, Mazrekaj, Torassa, Cetkoviç, Fejzullai, Krasniqi, Malota, Vila etj, të cilët janë kontraktuar përmes kontratash shumë të majme nga drejtuesit e Partizanit për të bërë diferencën në futbollin shqiptar, por dje në fakt, nuk bënë asgjë më shumë sesa 11 shkodranët, që paguhen edhe shumë herë më pak se ato.


    Lexo postimet e tjera