Futboll

Miqësorja e “luksit”, Brazili mposht Gjermaninë në Berlin…

Miqësorja e “luksit”, Brazili mposht Gjermaninë në Berlin…

Brazili ka fituar 1-0 në miqësoren e luajtur sonte në Berlin kundër Gjermanisë, kampione e botës në fuqi. “Selseao” ka aktivizuar atë që mendohet të jetë formacioni më i mirë në dispozicion të trajnerit Tite, me përjashtim të Neymar, që është i dëmtuar. Nga ana tjetër, trajneri i Gjermanisë, Low nuk aktivizoi nga fillimi disa titullarë potencial si Ozil, Mueller, Hummels apo portierin Ter Stegen. Episodi që vulosi fatet e miqësores së “luksit” ndodhi dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë, kur miqtë gjetën golin e vetëm të ndeshjes.

Pas krosimit të Willian nga e djathta, Gabriel Jesus goditi topin me kokë dhe tundi rrjetën, duke përfituar nga një reagim i dobët i portierit vendas Trapp. Gjermania nuk pati forcë për të barazuar rezultatin në pjesën e dytë, në një ndeshje që faktikisht u dominua nga ritmi i ulët. Mario Gomez në fillim dhe Timo Wagner më pas, nuk arritën të shqetësojnë portierin e Brazilit, Alisson. Në këtë mënyrë, pas fitores 3-0 në Rusi, Brazili fiton edhe në Gjermani dhe merr maksimumin nga dy miqësoret në Europë, pa pësuar gol. Një ogur i mirë…


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll