Futboll

Miranda i jep fitoren Brazilit në minutën e 93-të

U duk sikur do të ishte një barazim i mërzitshëm mes Brazilit dhe Argjentinës në stadiumin King Abdullah të Jeddah në Arabinë Saudite. Por në sekondat e fundit të takimit, Miranda i ka dhënë një fitore të merituar Selecao-s me ndeshjen që ka përfunduar 1-0. Pritej të ishte një spektakël në këtë stadium mbresëlënës me 63,000 spektatorë që brohoritnin si të çmendur, por brenda fushës dy skuadrat nuk i përmbushën pritshmëritë e mëdha që kanë tifozët e futbollit për këtë Klasike.

Ishte Brazili që nisi më mirë duke kontrolluar ndeshjen. Argjentina ishte me mision të qartë, mbrohu me shumë forca dhe mundohu të kundërsulmosh nëse vjen mundësia. Por ato mundësi ishin thuajse inekzistente. Brazili megjithëse kishte mbajtjen e topit, e kishte shumë të vështirë të depërtonte në zonën kundërshtare dhe si pasojë munguan mundësitë e pastra për të shënuar.

Loja karakterizohej nga ndërhyrje të ashpra nga të dyja palët, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në këtë përballje. Pas pushimit situata nuk ndryshoi, ndeshja u zhvillua në mesin e fushës teksa skuadrat vazhdonin të kishin si prioritet mbrojtjen. Shumë faulle edhe në pjesën e dytë dhe si pasojë arbitri gjerman Brych filloi të nxirrte më shpesh kartonin e verdhë nga xhepi.

Shumica e rasteve ishin nga goditjet standarde, aty ku Brazili njihet që është i rrezikshëm, por portieri Romero kishte çdo gjë nën kontroll. Gjithsesi ishte Brazili që vazhdonte të insistonte për të gëzuar tifozët e shumtë nga Arabia, por lojtarët e Tite-s ishin të pasaktë në pasimin e fundit. Por në minutën e tretë shtesë Brazili më në fund zhbllokoi rezultatin me anë të Miranda-s nga goditja e këndit. Një fitore e merituar e Brazilit që e kërkoi më shumë golin.

Më shumë nga Futboll