Futboll

Mladen Milinkovic: “Me sulmin nën trysni, fituam me rezultat të ekzagjeruar”

Pasi siguroi fitoren e dytë radhazi në kampionat, në aventurën e tij të re me Kukësin, trajneri Mladen Milinkovic, duke uruar futbollistët e tij për suksesin e sotëm të sigluar ndaj Laçit me rezultatin 3-0, pranon të rrëfejë presionin që ushtrohej ndaj sulmuesve të ekipit verilindor para ndeshjes së javës së tretë. Me 7 pikë në tre ndeshje, tashmë Kukësi ndan kreun e klasifikimit me pikë të barabarta me Skënderbeun, duke u rikonfirmuar menjëherë si pretendent për të mbrojtur titullin.

“Në pjesën e parë nuk ishim të qetë, edhe pse kemi patur rastet tona për shënim me anë të Bakaj, Guri dhe Alijev, gjithsesi uroj futbollistët për fitoren e siguruar. Në pushim të ndeshjes u mundova t’i qetësoj, duke u kërkuar që të mos jenë kaq nervozë në fushë. Duhet pranuar që sulmuesit tanë ishin në presion para ndeshjes, të vënë nën trysni edhe nga mediat që theksonin mungesën e produktit të tyre, golave. Ishte një moment kritik, sepse edhe ata janë njerëz dhe ndikohen nga kritikat.Besoj se ishte një fitore e merituar, pavarësisht se rezultati është disi i ekzagjeruar. Laçi është një ekip i mirë dhe e di çfarë kërkon në fushën e lojës. Besoj se në vazhdimësi ekipi do prodhojë lojë me të mirë dhe do marrim fitore të tjera”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Kukësit, Mladen Milinkovic.

Më shumë nga Futboll