Futboll

Modric para Anglisë: Sa e vështirë pa tifozë!

Luka Modric ka pranuar se Kroacia dhe Anglia duhet të përballen edhe me një atmosferë “të çuditshme”, kur të përballen sot në mbrëmje në një stadium të boshatisur në Rijeka, për Ligën e Kombeve. Kroatët do të luajnë ndeshjen e dytë e dyer të mbyllura, për shkak të dënimit marrë nga UEFA në lidhje me një simbol nazist (Svastika) vizatuar në fushë para një takimi kualifikues për Euro 2016, në Split, në qershor 2015. Sot në HNK Stadion do të lejohen vetëm stafet e dy ekipeve, përfaqësues të federatave përkatëse, media dhe policia.

Anglia nuk ka luajtur kurrë më parë një ndeshje me dyer të mbyllura, ndërsa Kroacia e luajti të parën kundër Bullgarisë në tetor 2015 dhe Modric thotë se atmosfera do të jetë anormale.

“Do të jetë e vështirë. Është një ambient i çuditshëm për të dyja skuadrat. Duam rezultat të mirë, por duhet të përshtatemi me stadiumin bosh, edhe pse është e vështirë të luash pa tifozë. Nuk mendoj se ndokush avantazhohet nga një ndeshje e tillë. Askush nuk është i mësuar të luajë në një stadium bosh dhe nuk kemi eksperiencë në këtë drejtim”.

Kroacia e mundi Anglinë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, para se të mundej në finale, por muajin e shkuar kroatët u shpartalluan 6-0 në Nations League nga Spanja dhe duan reagim.

“Është një ndeshje e rëndësishme, sidomos pas humbjes kundër Spanjës. Do të shohim nëse Anglia është më e fortë se në Botëror. Tani po luajmë për Nations League, janë teste me rivalë të mëdhenj, ndaj është një kompeticion i mirë, edhe pse ndeshja kundër Spanjës ndoshta erdhi shumë herët pas Botërorit”, tha Modric.

Pas përballjes në Kupën e Botës, Kroacia akuzoi Anglinë se e kishte nënvlerësuar, por Modric këmbëngul se kritikat nuk u drejtoheshin lojtarëve anglezë: “Kur e thashë atë gjë pas ndeshjes, nuk e kisha për lojtarët dhe trajnerin, por më shumë në lidhje me median dhe disa komente që kishim lexuar ose dëgjuar. Na dukej se nuk po tregonin respektin dhe vlerësimin që meritonim, por kjo gjë na e shtoi motivimin”.

Më shumë nga Futboll