Futboll

Monaco mbetet pa trajner, Jardim pushohet nga puna

Lajmi ishte në ajër prej ditësh dhe sot Monaco e ka bërë zyrtare, duke pushuar nga puna trajnerin Leonardo Jardim, pas 4 vitesh në drejtim. Trajneri 44-vjeçar e udhëhoqi ekipin nga principata drejt një titulli befasues në vitin 2017, por sezoni aktual ka nisur në mënyrë tragjike, me vetëm një fitore në kampionat dhe vendi i 18-të në renditje.

Portugezi, i cili ka qenë në drejtim prej viit 2014, kishte rinovuar deri në 2020 pas ecurisë impresionuese në vitin 2017, kur Monaco mbërriti deri në gjysmëfinalet e Champions League.

Jardim tha: “Jam krenar dhe mirënjohës që kam pasur mundësi të drejton Monaco-n për më shumë se 4 vite. Kam dhënë gjithnjë maksimumin tim dhe kam punuar me pasion. Kemi arritur fitore të mëdha dhe do t’i mbaj gjithnjë brenda meje ato kujtime”.

Zëvendëspresidenti Vadim Vasilyev shtoi: “Përshëndet me respekt të thellë Leonardon për punën e kryer. Jardim është bërë një pikë referimi në Europë me punën e kryer te ne dhe largohet me një bilanc shumë pozitiv. Periudha e drejtimit të tij do të mbetet një ndër faqet më të bukura në historinë e klubit dhe Leonardo do të jetë gjithnjë pjesë e familjes Monaco”.

Tashmë kërkohet pasuesi dhe në Francë janë të bindur se ai do të jetë Thierry Henry, i cili ka refuzuar ofertën e Aston Villa-s.

Më shumë nga Futboll