Premier League

Mourinho ka një problem serioz që favorizon Guardiola-n

Pas humbjes të pësuar në shtëpinë e Chelsea-it, Manchester United kanë mbetur në vendin e dytë të renditjes, por diferenca me kryesuesit e Manchester City ka shkuar në tetë pikë. Mourinho e ka komentuar me këtë fjalë situatën e ekipit të tij: “Gjithsesi, jemi të dytët. Kemi 18 skuadra që ndodhen në një pozicion më të vështirë se ne. Në dy javët e fundit kemi luajtur ndeshje të vështirë kundër Tottenham dhe Chelsea-it. Na mungonin lojtarë të rëndësishëm. Nuk dua të flas për limitet që kemi, por kështu ka ndodhur. Duhet të falënderoj Fellaini-n, për shembull, që është kthyer në stërvitje një ditë më parë dhe ka dhënë një kontribut të madh”.

United, në këto 11 javë të para të kampionatit, ka marrë 7 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Një rendiment mediokër për një skuadër që synon të fitojë titullin, që theksohet akoma më shumë nga ecuria pothuajse perfekte e “Qytetarëve” (10 fitore dhe 1 barazim). Rivaliteti historik mes “Special One” dhe Pep Guardiola, që ka lindur gjatë kohës që dy trajnerët klanë drejtues respektivisht Real Madrid dhe Barcelona, vazhdon (duke filluar nga 2016-a) edhe në kampionatin anglez, duke i dhënë derbit të Mançesterit një shije akoma më të fortë. Përballjet e drejtpërdrejta në Premier League, për momentin, janë në favor të City-it (1 barazim dhe 1 fitore për ekipin e Pep), por derbi i ardhshëm, këtë vit më shumë se atë të kaluarin (luhet më 10 dhjetor), do të jetë më e rëndësishme në luftën për titull.

Trajneri portugez e ka justifikuar ecurinë me ulje-ngritje të ekipit të tij me mungesat e disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, pa të cilët United ka humbur cilësi. Dhe kjo është një gjë që nuk mund të kundërshtohet. Në fakt, mjafton të kujtohet se që nga fillimi i kampionatit Mourinho nuk ka patur në dispozicion dy kampionë, lojtarë kyç të sezonit të kaluar, Zlatan Ibrahimovic, i cili ka pësuar një dëmtim serioz në gju prillin e kaluar, dhe Paul Pogba, që në muajin shtator ka pësuar një dëmtim muskulor.

Por është edhe e vërtetë se një skuadër e nivelit të “Djajve të Kuq” duhet të jetë në gjendje t’i bëjë ballë situatave të tilla, që janë pjesë e futbollit. Ndër të tjera, shifrat thonë të kundërtën: United, në vitin e fundit kalendarik, nuk ka fituar kurrë në transfertë kundër 6 ekipeve kryesore të kampionatit anglez, duke bërë paraqitje shumë zhgënjyese (1 gol i shënuar dhe 9 të pësuar). Ekipi i portugezit duket se nuk ka personalitet kundër te mëdhave të Premier League. Ky është limiti i lojtarëve të Mou: barazim në “Anfield” kundër Liverpool (17 tetor 2016), humbje në “Stamford Bridge” me rezultatin 4-0 (23 tetor 2016), barazim në shtëpinë e City-it (27 prill 2017), humbje në fushën e Arsenal (7 maj 2017), humbje në fushën e Tottenham 2-1, barazim kundër Liverpool (14 tetor 2017) dhe humbja e fundit e pësuar në shtëpinë e Chelsea-it me shifrat 1-0. “Special One” duhet të ndryshojë këtë ecuri nëse synon të fitojë titullin në këtë sezon, duke i dhënë mentalitetin e duhur skuadrës edhe në transfertë.

Më shumë nga Premier League