Kampionatet në Europë

Mourinho: Kërkova 4 lojtarë, por jam i kënaqur me 3 përforcime

Pasi fitoi me West Ham 4-0, ndeshja e dytë e Premier League për Manchester United është kundër Swansea. José Mourinho ka folur në prag të kësaj sfide, e cila do të luhet nesër në 13:30, në stadiumin “Liberty” dhe së pari u përpoq të mbajë të tijtë larg euforisë: “Unë kam përvojë dhe nuk fluturoj pas një rezultati 4-0. Ne nuk jemi favoritë, jemi vetëm një ekip me më shumë besim se sezonin e kaluar, një ekip që ka punuar për më shumë kohë së bashku, por që ka nevojë për qetësi. Ne po e fillojmë. Sezonin e kaluar, në tri ndeshjet e para kemi marrë nëntë pikë, pastaj e përfunduam kampionatin në vendin e gjashtë.”

Pyetja rreth Ivan Perisic nuk mund të mungonte, do të vijë apo jo ai në “Old Trafford”, por trajneri portugez nuk dukej shumë optimist: “Unë nuk mendoj se jemi ende në merkato, përveç nëse ndodh diçka e papritur. Unë i thashë z.Woodward se qëllimet e mia ishin katër, por do të bëjë atë që ai mendon se është më e mira për klubin. Pra, nuk ka presion nga ana ime. Personalisht jam i kënaqur me ekipin, jam i gatshëm për të punuar pa përforcimin e katërt. Nëse merkato është mbyllur për mua, jam mirë. Mendimi im është që duhet t’i përshtatemi situatës, pa marrë parasysh se çfarë është.

Si një trajner dhe si menaxher, ashtu si të gjithë ata që duan të punojnë me ekipin dhe me lojtarët, unë do të preferoja që merkatoja të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të gjithë të dinë lojtarët që kanë në dispozicion. Ka lojtarë, që nganjëherë luajnë ndeshjen e parë me një klub dhe një të dytë me një tjetër. Klubi im, si blerës, në thelb ka qenë mirë. Unë kisha kërkuar katër blerje, tre prej tyre arritën dhe të gjithë tashmë ishin në dispozicion për ndeshjen e parë të sezonit. Kjo është arsyeja pse klubi im bëri një punë të mrekullueshme. Ne jemi në një situatë të qëndrueshme.”

 

Më shumë nga Kampionatet në Europë