Premier League

Mourinho: Liverpool? Nuk ka asnjë ndryshim me Brighton

Ndeshja e Manchester United kundër Liverpool nuk është më e erëndësishme se ndeshjet e ardhshme që “Djajtë e Kuq” do të luajnë kundër Sevilla dhe Brighton, sipas Jose Mourinho. Një nga rivalitet më të mëdha të futbollit anglez do të kthehet në “Old Trafford” këtë të shtunë, me dy ekipet që ndahen vetëm nga dy pikë në renditje.

Mourinho, i cili ka drejtuar Porto, Chelsea, Inter dhe Real Madrid në karrierën e tij, ka qenë protagonist i disa prej përballjeve më të rëndësishme në botën e futbollit. I pyetur nëse ai e kupton më mirë rivalitetin mes United dhe Liverpool tani që është trajner i “Djajve të Kuq”, ai ka thënë:

“Jo, nuk e kuptoj sepse në mendjen time çdo ndeshje është njësoj. Nuk e kam parë kurrë Milan-in si rivalin më të madh, nuk e kam parë kurrë Atletico Madrid si armikun më të madh dhe nuk e kam parë kurrë Arsenal-in si një rival të madh. Për mua është vetëm një ndeshje e madhe mes dy klubeve historike, jo vetëm në Angli, por në botë”.

“Kemi tri ndeshje tani – Liverpool, Sevilla dhe Brighton. Nëse më kërkoni të zgjidhja se cila është më e rëndësishme, nuk do të mund ta bëja. Ajo me Liverpool është më e rëndësishmja sepse është ndeshja e radhës, por dy të tjerat janë me eliminim direkt. Nuk mendoj se tifozët do të gëzoheshin po të thoja se ajo me Liverpool është ndeshje e madhe dhe ajo me Sevilla-n nuk është e tillë”.

“Të gjithë duan të shkojnë në Wembley për gjysmëfinalet e Kupës së Anglisë. A është Brighton më pak e rëndësishme se sfida me Liverpool?”, ka thënë Mou.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Premier League