Kampionatet në Europë

Mourinho: Nuk do të bëjmë asgjë të çmendur, si Guardiola…

Jose Mourinho këmbëngul se Manchester United nuk do të bëjë shpenzime të çmendura këtë verë, në përpjekje për të kapërcyer hendekun me Manchester City. “Qytetarët” e Pep Guardiolës fituan titullin e Premier League, pesë ndeshje para mbylljes së kampionatit, duke shfrytëzuar humbjen e papritur 1-0 të Manchester United ndaj West Bromwich Albion, të dielën.

Mourinho tha se do të ndërhyjë për ta përmirësuar skuadrën e tij, me burime që tregojnë për ESPN FC se ai do të kërkojë të sjellë të paktën një mesfushor qendror dhe një mbrojtës në “Old Trafford”. Sidoqoftë, trajneri portugez është i bindur se nuk do të ketë ndryshime të mëdha përpara sezonit të ardhshëm.

“Ne nuk do të shpenzojmë më shumë sesa mundemi. Nuk do të bëjmë asgjë të çmendur, – tha Mourinho për “Sky Sports”. – Po përpiqemi të përmirësohemi pak më shumë. Kjo është ajo, që ne do të bëjmë”.

Michael Carrick synon të dalë në pension në fund të sezonit. Dyshime ka mbi të ardhmen e Marouane Fellainit, pasi ende nuk ka nënshkruar kontratë të re me “Djajtë e Kuq”. Nga Italia ka interes për Matteo Darmian dhe Daley Blind, ndërsa burimet i kanë thënë ESPN se Anthony Martial do të kërkojë siguri rreth rolit të tij, para se të rifillojë negociatat mbi një marrëveshje të re.

Mourinho është i vendosur të nënshkruajë me një maksimum prej katër lojtarësh të rinj, por 55-vjeçari mohoi të bëjë shpenzimeve të mëdha, si në stadiumin “Etihad”: “Të gjithë do të përpiqen të përmirësohemi, ashtu siç bëmë nga sezoni i kaluar.

Sezonin e shkuar kemi përfunduar të gjashtët në renditje, ndërsa këtë sezon do ta mbyllim, me shpresë, të dytët. Sezonin e ardhshëm do të përpiqemi të përmirësohemi edhe më, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndoshta edhe Manchester City do të investojë masivisht dhe nuk do t’u lejojë të tjerëve të mbyllin hendekun, por nuk e di”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionatet në Europë