Futboll

Mposht Kukësin, Tirana fiton Superkupën e Shqipërisë

Një Tiranë paradoksale, që pasi ka mbyllur sezonin në vendin e parafundit të klasifikimit, duke shënuar për të parën herë në historinë e klubit bardheblu rënien në kategorinë inferiore, por gjithashtu duke fituar Kupën e Shqipërisë, sot ka nisur edicionin e ri me një tjetër trofe, atë të Superkupës së Shqipërisë të fituar pikërisht përballë kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Kukësit. Skuadra 24 herë kampione e Shqipërisë ka dominuar në mënyrë absolute gjatë të gjithë ndeshjes, duke iu imponuar Kukësit me lojën dhe aksionet e pandalshme ofensive, por me nje difekt të pariparuar deri në minutën e 90’, atë të saktësisë në finalizimin e aksioneve. Superioriteti i bardhebluve është favorizuar edhe nga dalja e Shametit nga fusha e lojës që në minutën e 28’, pas ndëshkimit me dy kartona të verdhë. Por, pavarësisht aksioneve sulmuese dhe dominimit në administrimin e topit, sa për pasaktësi në finalizim, po aq edhe për mungesë të fatit dhe meritë të portierit Koliçi, Tirana ka siguruar fitoren vetëm në minutën e 90’, falë golit të Hoxhallarit të shënuar me një gjuajtje nga jashtë zone.

Sinjalin e parë në këtë përballje të Superkupës së Shqipërisë e kanë dhënë pikërisht kampionët në fuqi, Kukësi, me anë të Alijev, që kishte të gjitha shanset të kalonte verilindorët në avantazh, por nuk vendoset mirë dhe shpërdoron një mundësi të artë. E menjëhershme dhe gati e pandërprerë ka qenë më pas reagimi i Tiranës. Dy aksione perfekte të njëpasnjëshme, me protagonist Celhakan që ka gabuar në të dy rastet në mënyrë amatoreske, madje edhe me portën gati të boshatisur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një minutë më pas Daja, i cili dërgon jashtë një top të artë, teksa ndodhej vetëm pak metra larg portës. Më pas ka qenë e pamundur të mbahej rendi i aksioneve të bardhebluve, që nuk kanë mundur dot të korigjojnë shënjestrën e tyre në finalizimin e aksioneve, duke patur edhe fatin kundra, me topin që ka goditur edhe shtyllën e portës kuksiane.

Për të lehtësuar punën e 24 herë kampioënve të Shqipërisë ka menduar edhe Shameti, i cili në harkun e vetëm 3’ minutave është ndëshkuar me dy kartonë të verdhë, duke u detyruar të lërë fushën e lojës në minutën e 28’, me Kukësin që është përballur në inferioritet numerik ndaj Tiranës, për më shumë se 60’ minuta. Pjesa e dytë ka vijuar njëlloj sikurse u mbyll fraksioni i parë i lojës, me verilindorët gjithmonë nën trysninë konstante të ushtruar nga bardheblutë. Kësaj here, në pah kanë dalë cilësitë e portierit të Kukësit, Koliçi, i cili ka qenë protagonisti kryesor në kampin e kampionëve të Shqipërisë, duke shpëtuar portën verilindore në një pafundësi rastesh, të paktën deri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Pikërisht në të 90’, një goditje e fuqishme nga jashtë zone e Hoxhallarit ka përfunduar në rrjetën e portës së Kukësit, duke i dhënë Tiranës avantazhin dhe fitoren e trofeut të Superkupës së Shqipërisë. Por ndërkohë që bardheblutë kalojnë në epërsi, në fushë rikthehet barazia numerike pas ndëshkimit të Turtullit me kartonin e dytë të verdhë, i detyruar të lërë fushën e lojës.

Kukësi-Tirana 0-1

Shënues: Hoxhallari 90’

Kukësi: Koliçi, Shameti, Hoxha, Hallaçi, Rrumbullaku, Zeqiri, Musolli, Shtubina, Bakaj, Guri, Alijev.

Trajner: Mladen Milinkovic

Tirana: Lika, Ëellyson, Turtulli, Hoxhallari, Kërçiku, Daja, Karabeci, MaËejje, Celhaka, Greca, Yunus.

Trajner: Ze Maria

KK: Shameti / Turtulli

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

Më shumë nga Futboll