La Liga

“MS” është super edhe pa “N”

Me largimin e Neymar Barcelona i ka thënë lamtumirë simbolit “MSN”, treshja sulmuese që ishte zemra e skuadrës dhe një nga elementet kyç të fushatës së fundit të bërë nga Josep Maria Bartomeu për zgjedhjet presidenciale. Tani ata do të duhet të mësohen të jetojnë pa brazilianin dhe është e vërtetë se disa tifozë kanë rënë në depresion, por ka shumë arsye për të qenë optimistë, teksa golat do të garantohen nga Lionel Messi dhe Luis Suarez. “MSN” ka realizuar 363 gola në tre sezone me 153 prej tyre që kanë ardhur nga Messi, 120 nga Suarez dhe 90 nga Neymar, që do të thotë se katalanasit mbeten një skuadër e frikshme, pavarësisht largimit të një lojtari shumë të rëndësishëm.

Në fakt, nëse shikohen ndeshjet e luajtura kundër Real Madrid në tre vitet e fundit, golashënuesi më i mirë i Barças është Suarez me tre gola, ndërsa Messi dhe Neymar kanë shënuar nga dy. Një tjetër arsye për të besuar se Barcelona nuk do të ketë probleme në shënimin e golave është se tre fituesit e fundit të “Këpucës së Artë” janë akoma pjesë e skuadrës. Messi e fitoi herën e fundit me 37 gola, ndërsa Suarez e ka fituar çmimin në dy sezonet e mëparshme falë 59 golave të shënuar për katalanasit dhe 31 të realizuar për Liverpool.

Më shumë nga La Liga