Tenis

Muguruza: Ky ishte sezoni më i mirë, në 2018-ën synoj sërish kreun

Tenistja spanjolle Garbine Muguruza u ngjit për herë të parë këtë vit në krye të renditjes botërore për femra, pozicion që e mbajti për pak javë, për t’ia lëshuar vendin Simona Halep. Pavarësisht kësaj, tenistja 24-vjeçare ka mbetur e kënaqur nga rezultatet e arritura këtë sezon: “Ky ka qenë një vit i suksesshëm për mua dhe jam krenare për rezultatet e arritura. Jam përmirësuar në shumë aspekte dhe pres që këtë ritëm të kem edhe pas një viti. Jam përpjekur që të shijoj çdo moment këtë sezon dhe besoj se çdo fitore e kam merituar, duke qenë mes pretendenteve”, u shpreh Muguruza, aktualisht numri 2 në botë.

Tenistja spanjolle Garbine Muguruza me trofeun e Wimbledonit

Më tej, duke folur për të ardhmen, tenistja spanjolle shton: “Shpresoj shumë të qëndroj në këto nivele edhe sezonin tjetër, pra të bëj një tjetër hap përpara. Pushimet gradualisht po shkojnë drejt fundit dhe përgatitjet kanë nisur, kryesisht në aspektin fizik, për të qenë në formë kur të stërvitem me raketën. Përparësi për mua vitin 2018 do të jetë mbrojtja e titujve fituar këtë vit dhe më pas të fitoj në të tjerë turne. Ka për të qenë një seozn i vështirë, pasi te femrat ka shumë rivalitet, janë shumë teniste në të njëjtin nivel, ndaj duhet maksimumi në çdo turne”, u shpreh tenistja spanjolle, që aktualisht ndodhet me pushime.

Më shumë nga Tenis