Bundesliga

Müller “zgjon bishën”, Bayern shkon në +13 pikë

Borussia Mönchengladbach nuk mund të ishte më një makth për Bayern-in dhe bavarezët u kujdesën ta rregullonin këtë pikërisht sot, në ndeshjen kur mund të thellonin diferencën me ndjekësin RB Leipzig me 13 pikë. Dhe kjo ndodhi! Kampionët e Gjermanisë fituan minimalisht 1-0 në transfertë duke bërë një nga ndeshjet më të bukura të sezonit dhe duke fituar një qetësi absolute në çastin më delikat të sezonit, kur do të vijnë përballjet më të rëndësishme, ato me Real Madrid-in në Champions League.

Loja nisi me vrull, nxitur kjo nga trajneri Carlo Ancelotti, i cili aktivizoi që nga minuta e parë dy magjistarët e mesfushës ofensive, Franck Ribery dhe Arjen Robben. Bayern krijoi plot raste të pastra për gol dhe dhuroi spektakël, por nuk pati fat në metrat e fundit të fushës, aty ku dyshja Lewandowski-Müller nuk u koordinua mirë. Pjesa e parë u mbyll 0-0, me bavarezët të cilët kënaqën me futboll të bukur edhe tifozët vendës, “të ngujuar” për të parë 11 fanella të kuqe thuajse në çdo sekondë pranë portës së tyre.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Goli i vetëm i takimit u shënua nga Thomas Müller. Në të 63′, pas një gjysmëkrosi fantastik të spanjollit Thiago Alcantara, kampioni i botës ndali topin disi me vështirësi dhe e dërgoi atë në rrjetë. Ky është goli i dytë për 27-vjeçarin në këtë sezon të Bundesligës. Të parin e pati shënuar në dhjetorin e shkuar kundër Wolfsburg-ut. Minutat e fundit të takimit nuk sollën reagimin e ‘Gladbach-ut. Përkundrazi, Bayern administroi pa vuajtje lojën dhe siguroi 3-pikëshin, me teknikun Ancelotti më të kënaqur se kurrë.

Më shumë nga Bundesliga