La Liga

Mungesa e golave, Real kërkon ndihmën e 17-vjeçarit

Katër ndeshje radhazi pa shënuar gol duket se kanë bindur Real Madrid të përshpejtojë transferimin e talentit të Santos, Rodrygo Goes.

Madrilenët mund ta marrin të riun brazilian në “Bernabeu” para afatit të caktuar. Sulmuesi, i blerë për 45 milionë euro nga gjigantët e La Ligas në qershor, duhej të shkonte në Madrid verën e ardhshme, por thuhet se “Los Blancos” mund ta marrin atë në kryeqytetin spanjoll sapo të mbushë 18 vjeç, në 9 janar.

Nominimi i tij për trofeun e ri “Kopa”, “Topi i Artë” për lojtarët nën 21-vjeç, u prit me befasi në vendin e tij. Jo sepse ai nuk e meritonte, por sepse nuk pritej që “France Football” të vlerësonte një 17-vjeçar i cili nuk ka luajtur ende në Europë dhe, mbi të gjitha, që të përzgjidhej para brazilianit Vinicius, i cili shkoi te Real këtë verë nga Flamengo.

Vinicius dhe Rodrygo tani ndodhen të dy me kombëtaren braziliane U-20 në Kili. “Canarinha” ndodhen aty si pjesë e përgatitjeve për kampionatin U-20 të Amerikës së Jugut që do të luhet në janar. Një kompeticion ky që vlen gjithashtu edhe për fazën kualifikuese të Botërorit U-20 që do të zhvillohet verën e ardhshme në Poloni.

Dyshja pritet të startojnë së bashku në sulm, teksa brazilianët do të luajnë dy miqësore me Kilin, të parën në Ronkagua ditën e shtunë dhe të dytën në Santiago ditën e hënë.

Më shumë nga La Liga