• Mungesa e Rooney në kombëtare shkakton polemika në Angli

    Publikuar: 18 Mar 10:32

    Mungesa e fundit e Wayne Rooney në kombëtaren e Anglisë ka gjeneruar debate në Ishujt Britanikë. Versioni zyrtar, i ofruar të enjten nga trajneri Gareth Southgate, bën me dije se sulmuesi i Manchester United ka një dëmtim. Megjithatë, shtypi thotë se Rooney nuk është më i padiskutueshëm te “Tre Luanët”, ndaj mund të humbasë edhe shiritin e kapitenit. “Kapiteni ynë mbetet ai, do të vazhdojë ta mbajë shiritin edhe në ndeshjet e ardhshme”, – ka thënë trajneri Southgate.

    Trajneri i Anglisë ka shtuar se ka folur me Rooney, për të cilin tha se ishte i mërzitur, por i kuptoi arsyet. “Unë dua konkurrencë”, – tha Southgate, ish-lojtari i Anglisë dhe Aston Villa. Rooney, 31 vjeç, i humbet dy ndeshjet e ardhshme të “Tre Luanëve”, të mërkurën kundër Gjermanisë, në një miqësore, dhe katër ditë më vonë kundër Lituanisë, kualifikuese për Kupën e Botës 2018. Sipas mediave britanike, golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë ishte i ftuar në një takim me skuadrën.


    Lexo postimet e tjera