Tenis

“Murray duhet të ndjekë shembullin e Federer dhe Nadal”

Andy Murray duhet të ndjekë shembullin e Federer dhe Nadal për t’u rikthyer sërish protagonist në fushat e tenisit”. I këtij mendimi është Greg Rusedski, ish-tenist britanik, që i jep një këshillë patriotit të tij, që prej 3 muajsh nuk luan asnjë ndeshje për shkak të problemeve fizike. Murray zhvilloi një vit 2016 fantastik, u ngjit në krye të renditjes botërore duke parakaluar rivalin e tij historik Novak Djokovic, ndërkohë që Roger Federer dhe Rafael Nadal vendosën të pushojnë. Por pushimi rezultoi i suksesshëm për dy veteranët, që u rikthyen këtë vit protagonist, ndaj Rusedski shprehet se të njëjtën taktikë duhet të ndjekë edhe Murray. Ndërkohë që, edhe Djokovic ka mbyllur sezonin pas problemeve të shpeshta fizike, për t’u rikthyer në fushë vitin 2018.

Tenistet Roger Federer dhe Rafael Nadal

Ky sezon ka qenë thuajse i dështuar për Murray, pasi nuk ka qenë asnjëherë protagonist, duke mos dhënë atë që pritej dhe tashmë ka humbur prej kohësh kreun e renditjes (ndodhet i treti). “Andy është një profesionist i jashtëzakonshëm, ka fituar shumë trofe, medalje dhe tani ka nevojë për pak pushim. E rëndësishme për të është që të jetë i shëndetshëm, të rikuperojë 100% dhe më pas të hedhë piketat për të ardhmen. Të bëjë atë që bënë Federer dhe Nadal, që morën kohën e mjaftueshme për të pushuar dhe këtë vit u rikthyen protagonistë”, tha Rusedski. Tenisti Andy Murray nuk luan prej muajsh një ndeshje zyrtare dhe synon të jetë në finalet e Championship, që zhvillohet në Londër, në nëntor.

Më shumë nga Tenis