Tenis

Murray në dyshim për Australian Open: Do të luaj kur të jem 100%

Ditët e fundit kanë qenë shumë të ngarkuara për tenistin britanik Andy Murray, që fillimisht luajti ndeshjen “show” për bamirësi me Roger Federer dhe pak orë më vonë u bë baba për të dytën herë. Por, pavarësisht faktit se ai u rikthye në fushën e tenisit pas disa muajsh pushim, britaniku ka deklaruar se e ardhmja e tij është ende e dyshimtë. Madje Murray deklaroi se nuk ka ndërmend të rikthehet në fushë pa qenë në 100% të formës së tij, për të evituar dëmtime të tjera. “Nuk e di nëse do të jem në Australi. Deri më tani, rehabilitimi po shkon mirë, por nuk i dihet asnjëherë. Më ka ndodhur më parë që të dëmtohem disa herë, pasi jam rikthyer më herët se sa duhej, ndaj nuk dua të përsëris të njëjtin gabim”, tha Murray.

Tenisti britanik Andy Murray

Kam disa javë që po stërvitem regullisht, por disa ditë jam ndjerë mjaft mirë, disa të tjera jo. Ndaj do të rikthehem në fushë vetëm kur të kem rikuperuar plotësisht formën më të mirë. Ndoshta kur të rikthehem nuk do të luaj një tenis të mirë, por do të provoj”, u shpreh Andy Murray, që këtë vit ka zhgënjyer me paraqitjet e tij, duke humbur edhe kreun e renditjes botërore. “Kur rikthehesh synon të fitosh, të japësh maksimumin për të mundur më të mirët, të fitosh turnetë e mëdhenj dhe nuk dua të riskoj në këtë drejtim. Po punoj shumë për të përmirësuar teknikën, por nuk po nxitohem, pasi dua t’i bëj gjërat me kujdes”, tha më tej tenisti britanik, që ndodhet në vendlindje pas lindjes së bashkëshortes.

Më shumë nga Tenis