Europa League

Na ishte njëherë Milan-i… Rijeka fiton me lehtësi 2-0

Na ishte njëherë… Kështu nisin përrallat dhe me këtë fjali mund të përmblidhet edhe situata që po kalon klubi milanez prej disa vitesh tashmë. Por ndryshe nga sa ndodh në përralla, që zakonisht kanë një fund të bukur, për Milan-in duket se ky fund, të paktën për këtë sezon, do të jetë shumë i hidhur. Pas barazimit befasues në fushën e Benevento-s dhe lajmeve se UEFA do ta hedhë poshtë planin e prezantuar nga klubi milanez për të qenë brenda parametrave të “fair play”-it financiar, ka ardhur një tjetër rezultat zhgënjyes. Ekipi i Gattuso-s, në fakt, e ka mbyllur fazën me grupe të Europa League më një humbje 2-0 në fushën e Rijeka-s.

Është e vërtetë se “Djalli” e kishte siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në Grupin D në pesë ndeshjet e mëparshme, por të gjithë ishin në pritje të një reagimi pas golit të pësuar në minutën e 95-të nga portieri i Benevento-s në javën e fundit të kampionatit. Një gol që ka bërë xhiron e botës dhe që e ka kthyer në një barsoletë një nga klubet më fitues të historisë së futbollit. Një reagim që nuk ka ardhur dhe që nuk dihet nëse do të vijë në javët e ardhshme. Shtatë minuta u kanë mjaftuar vendasve për të zhbllokuar ndeshjen me një gol shumë të bukur nga Puljic me goditje dënimi. Ky ka qenë emocioni i vetëm i 45 minutave të para, me miqtë që nuk kanë arritur të kërcënojnë në asnjë moment portën e kundërshtarit.

Pjesa e dytë ka filluar me golin e dytë të Rijeka-s me Gavranovic, i cili ka dërguar topin në rrjetë me një goditje diagonale brenda zonës së rreptësisë. Kroatët kanë fituar 2-0 dhe i kanë shkaktuar “Djallit” humbjen e parë në Europa League. Na ishte njëherë Milan-i që i trembte kundërshtarët vetëm nga emri dhe që e konsideronte Europën si shtëpinë e tij, por që sot askush nuk e frikë, as Benevento e Brignoli-t dhe as Rijeka e Puljic dhe e Gavranovic.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Europa League