Tenis

Nadal e nis 2018-ën me humbje, por është gati për Australian Open

Rikthimi në fushë i tenistit spanjoll Rafael Nadal ka qenë me një humbje. Numri 1 në botë luajti sot në turneun “show” të Kooyong, në Melburn, ku u mposht 2-0 nga francezi Richard Gasquet (6-4, 7-5). Kjo ishte ndeshja e parë e Nadal pas gati 2 muajsh pushim, që kur u detyrua të tërhiqet nga finalet e “ATP Championship” që u zhvilluan në Londër në nëntor. Pavarësisht humbjes, spanjolli u shpreh i kënaqur nga loja dhe i bindur se gjuri i tij do të rikuperojë 100% deri ditën e hënë, kur nis grand slemi i Australian Open.

Tenisti spanjoll Rafael Nadal

Gjuri reagoi mirë, nuk kam asnjë shqetësim. Ishte një test i mirë për mua, ndërkohë që ditët e fundit jam stërvitur pa asnjë shqetësim dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Viti 2017 ishte i gjatë dhe i vështirë për mua, luajta shumë dhe kjo ndikoi në përgatitjen time për 2018-ën, që nisi më vonë se zakonisht. Por për mua zhvillimi i një ndeshje të plotë më dha një ndjesi fantastike. Jam në formë fizikisht, ndaj vendosa të luaj, ndaj ky është një lajm pozitiv për mua. Do të punoj fort edhe ditët në vijim, për të qenë gati për Australian Open”, tha Nadal.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Tenis