Tenis

Nadal eliminohet nga Madridi, humbet kreun e renditjes botërore

Pas një viti dhe 50 setesh radhazi të fituara në fushat me dhè, tenisti spanjoll Rafael Nadal pëson humbjen e parë në këtë sipërfaqe, duke u eliminuar nga turneu Masters i Madridit, ku ishte kampion në fuqi. Humbje që i kushton shumë spanjollit, pasi do të humbasë edhe kreun e renditjes botërore për meshkuj. Në krye të renditjes ditën e hënë do të rikthehet Roger Federer.

Në çerekfinalet e turneut të Madridit, spanjolli u mund 2-0 (7-5, 6-3) nga austriaku Dominic Thiem, tenisti që i kishte shkaktuar humbjen e fundit Nadal në këtë sipërfaqe një vit më parë. Një ndeshje që zgjati gati dy orë, me emocione e rivalitet, kryesisht në setin e parë, ndërsa në të dytin Nadal u duk i lodhur, ndoshta nga sfidat e shumta radhazi në këtë sipërfaqe gjatë muajit maj.

Në gjysmëfinalet e të turneut të Madridit, austriaku Thiem do të luajë ndaj Kevin Anderson, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër do të përballen mes tyre Denis Shapovalov dhe Alexander Zverev. Për femra, në finalen e këtij turneu janë Petra Kvitova dhe Kiki Bertens.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Tenis