Tenis

Nadal fiton me përmbysje ndaj Del Potro, në finale përballë surprizës Anderson

Spanjolli Rafael Nadal dhe afrikano-jugori Kevin Anderson janë dy finalistët e grand slemit të US Open për meshkuj, të kualifikuar sot pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale të luajtura në Nju Jork. I pari që preu një biletë për në finale është Anderson, që mundi 3-1 (4-6, 7-5, 6-3, 6-4)  spanjollin Pablo Carreno Busta. Të dy këta sportistë ishin surprizë në këtë gjysmëfinale, por kjo deri diku e pritshme, duke qenë se mungonin 6 nga 10 tenistët e “top-10”. Ata arritën me meritë deri këtu, por gjysmëfinalja tregoi se afrikano-jugori ishte më superior edhe pse e nisi keq ndeshjen. Correno fitoi setin e parë dhe më tej erdhi përmbysja për Anderson, që fitoi tri setet e tjera dhe krejt takimin 3-1.

Afrikano-jugori Kevin Anderson

Kjo është hera e parë që Kevin Anderson del në finalen e një grand slemi, ku përballë do të ketë një veteran të eventeve të tilla si Rafael Nadal. Spanjolli mundi 3-1 me përmbysje një “kockë të fortë” si argjentinasin Juan Martin Del Potro (4-6, 6-0, 6-3, 6-2). Pas një seti të parë të dominuar nga Dal Potro, vjen përmbysja e Nadal, që shkatërron në tri setet e tjera rivalin argjentinas, aq sa një set u mbyll me zero pikë për amerikano-latinin. Një triumf i merituar i spanjollit, që është edhe favoriti kryesor për ta fituar këtë turne. Nadal është numri 1 në botë dhe do të kërkojë të fitojë turneun e dytë të madh këtë vit, pas astij të Roland Garros.

Më shumë nga Tenis