Tenis

Nadal: I kam çuar një urim special Federer pas fitores në Australian Open

Tenisti spanjoll Rafael Nadal, numri 1 në botë për meshkuj, ka deklaruar sot se e ka uruar privatisht kolegun dhe mikun e tij Roger Federer, pas fitores së këtij të fundit në grand slemin e Australian Open. Në fakt, të gjithë mbetën të habitur nga fakti se përse ende spanjolli nuk ka postuar ndonjë mesazh në rrjetet sociale për këtë fitore të Federer, por tenisti nga Majorka ka zbuluar të vërtetën. “I kam dërguar një mesazh privat në celular, ku e kam përgëzuar dhe uruar për fitoren. Me njerëzit që i njoh, preferoj më mirë ta ndaj urim privatisht se sa publikisht”, tha Nadal, numri 1 në botë për meshkuj.

Tenisti spanjoll Rafael Nadal

Tenisti spanjoll është ende në fazë rikuperimi pas dëmtimit dhe tërheqjes nga grand slemi i Australian Open dhe shpreson që të rikthehet në fushë në turneun e Acapulco, pas 3 javësh. “Si çdo dëmtim edhe ky që kam pësuar së fundi kërkon kohën e tij për t’u rikuperuar, ndaj jam ende duke u përgatitur për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt, shpresoj në Acapulco. Dua të rikthehem sa më shpejt, pasi kështu argëtohem edhe më shumë”, u shpreh Rafael Nadal, që në renditjen e përgjithshme për meshkuj ka vetëm 155 pikë më shumë se Roger Federer, që renditet i dyti.

Më shumë nga Tenis