Tenis

Nadal operohet në kavilje, dy muaj larg fushave të tenisit

Pas lajmërimit dje se nuk do të luajë në finalet e turneut ATP Championship, që zhvillohet javën e ardhshme në Paris, tenisti spanjoll Rafael Nadal ka konfirmuar sot për fansat e tij se është operuar në kaviljen e djathtë. Numri 2 në botë nuk ka humbur kohë, por është operuar po dje në një spital në Barcelonë, ndërsa sot është larguar për në shtëpi, duke ecur me paterica.

Sipas mediave spanjolle, operacioni ka qenë i suksesshëm, ndaj dhe mjekët i kanë dhënë “ok” tenistit të vijojë në shtëpi fazën e rehabilitimit. Nadal do të qëndrojë dy muaj jashtë fushave të tenisit, por spanjolli do të jetë i pranishëm në grand slam të Australian Open, që zhvillohet në Melburn, në janar.

Nadal nuk luan që prej grand slam të US Open, duke mbyllur sezonin që në shtator, çka i kushtoi edhe kryesimin e renditjes botërore. Gjatë vitit 2018, spanjolli ka luajtur vetëm në 9 turne, duke fituar edhe grand slam të Roland Garros, të preferuarin e tij.

Më shumë nga Tenis