Tenis

Nadal rrëfehet pas US Open: Një nga sezonet e mia më të mira

Për herë të parë që prej vitit 2013, Rafael Nadal arrin të fitojë një grand slem që nuk është në fushat me dhè, atë të US Open pak ditë më parë, ashtu siç patë bërë për herë të fundit kur fitonte në sipërfaqen me çement. Një sinjal që tregon se tenisti spanjoll është rikthyer ai i dikurshmi, duke korrur grand slemin e dytë sezonal dhe të 16-tin në karrierë. “Kanë qenë dy javë fantastike. Niveli i lojës time erdhi në rritje nga ndeshja në ndeshje, duke fituar besim. Ky sukses i arritur në Nju Jork do të thotë shumë për mua”, tha Nadal.

Rafael Nadal gjate finales se US Open

Triumfi në US Open është mënyra më e mirë për të mbyllur sezonin e turneve të mëdhenj. Ka qenë një vit fantastik, shumë emocionues, në shumë drejtime. Jam i kënaqur për mënyrën se si kam administruar forcat, presionin, gjithçka, duke bërë një paraqitje të mirë “, u shpreh më tej Rafael Nadal, që rrëfehet se pavarësisht fitores së lehtë 3-0 në finale ndaj Anderson, ka qenë nervoz: “Nuk isha i qetë asnjë moment, madje nervoz dhe shpesh inatosesha me veten kur bëja ndonjë gabim. Por në fund gjithçka shkoi mirë”, tha spanjolli.

Rafael Nadal feston triumfin ne US Open

Para 8-9 muajsh e kisha të pamundur të imagjinoja se do të fitoja dy grand sleme, pasi vija pas një pushimi të gjatë. Por këtë vit kam bërë paraqitje të mira dhe ja ku erdhën këto triumfë. Falënderoj jetën për mundësinë që më ka dhënë, por kam punuar shumë dhe mendoj se kam ende disa gjëra për të përmirësuar. Duke parë rezultatet e arritura këtë vit, mund të them se ka qenë një nga sezonet e mia më të mirë në karrierë”, u shpreh Rafael Nadal, numri 1 në botë, që vazhdon të qëndrojë pas Federer, që ka fituar 19 grand sleme, 3 më shumë se spanjolli.

Më shumë nga Tenis