Seria A

Napoli është si Holanda, por Juventus është Gjermania

Nëse Napoli, sipas trajnerit Maurizio Sarri, kujton Holandën e 1974-ës, atëherë mund të thuhet se Juventus është e ngjashme me Gjermaninë (jo vetëm atë të 1974-ës, që mposhti “Tulipanët” në finalen e Botërorit, por me çdo Gjermani). E shëmtuar, po, e ashpër, gjithashtu, por gjithmonë në luftë për të fituar. Çdo vit, në çdo kompeticion, Juventus është gjithmonë aty…

“Futbolli është një lojë e thjeshtë: 22 lojtarë ndjekin një top për 90 minuta dhe në fund fiton Gjermania”. Fraza e famshme e Gary Lineker (ndër të tjera, ish-lojtar i Tottenham), e thënë për Gjermaninë, mund të përdoret edhe për Juventus-in, ku fjala ‘fitore’ nuk do të thotë domosdoshmërish ngritja e një trofeu. ‘Fitore’ do të thotë të jesh gjithmonë në lojë, të mos vdesësh kurrë.

Gjermania dhe Juventus kanë fituar dhe humbur shumë, por kanë një të përbashkët: nuk dorëzohen kurrë dhe është pothuajse pamundur t’i mposhtësh. Ka ndodhur rrallë herë në historinë e tyre që të ofrojnë një futboll spektakolar, por pothuajse gjithmonë kanë bërë një lojë efikase dhe fituese. Mjafton të mendosh për Lazio-Juventus dhe Tottenham-Juventus: skuadra e Allegri-t ka qenë në vështirësi për pjesën më të madhe të ndeshjeve, por nuk është shpërbërë në asnjë moment, deri kur ka ardhur momenti për të dhënë goditjen e “KO”-së.

“Për një moment më është dukur sikur shikoja Gjermaninë e 1974-ës”, ka shkruar gazetari italian, tifoz juventin, Massimo Zampini pas Lazio-Juventus. Përtej ‘verbërisë’ së tifozit që përfiton nga çdo moment pozitiv për të ngritur në qiell vlerat e skuadrës së zemrës nuk mund të mohohet se ka një të vërtetë në atë fjali.

Nëse disa skuadra kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë futbollin e bukur (Holanda, Milan-i i Sacchi-t, Barcelona e Guardiola-s), të tjera kanë qenë simboli i efikasitetit dhe rezultatit: Gjermania dhe Juventus janë përfaqësueset më të mira të kategorisë së dytë.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Seria A