La Liga

Napoli, Milan dhe Juventus duan ta kthejnë Kovacic në Itali

Mateo Kovacic mund të jetë një nga protagonistët e merkaton së dimrit ose të verës. Siç ndodhte në kohën kur luante me Inter, ai nuk po arrin të shprehet në maksimum as te Real Madrid. Ndoshta ka ardhur momenti për të ndryshuar përsëri ekip? Është një mundësi konkrete, sepse te klubi spanjoll nuk po gjen hapësira, edhe për shkak të disa dëmtimeve.

Për më tepër, rivaliteti te Real Madrid është i pamëshirshëm dhe nuk do të jetë e lehtë për Kovacic që ta ndryshojë këtë situatë kur të kthehet nga dëmtimi. Drejtori sportiv i Napoli-t, Giuntoli, po e ndjek me vëmendje këtë situatë dhe po vlerëson mundësinë për ta marrë lojtarin kroat, në mënyrë që trajneri Sarri të ketë një alternativë cilësore në mesfushë. Verën e kaluar emri i tij është përfolur edhe për një transferim të mundshëm tek Juventus dhe Milan, dy klube që do të kthehen menjëherë në sulm, në rast se ai do të jetë në merkaton.

Kovacic u transferua tek Inter në janarin e 2013-ës nga Dinamo e Zagrebit për 14 milionë euro dhe konsiderohej si një nga talentet më të mirë të futbollit kroat, por paraqitjet e tij nuk kanë bindur kurrë plotësisht. Megjithatë, perspektiva ishte e mirë, me zikaltrit që i kanë dorëzuar edhe fanellën me numrin 10, që, duke parë si shkuan gjërat, ka shtuar më shumë presionin ndaj tij. Në dy sezonet me Inter ka realizuar tetë gola në 80 ndeshje. Kjo ka qenë një nga arsyet pse klubi milanez vendosi ta shesë te Real Madrid, në verën e 2015-ës për 31 milionë euro. Edhe ecuria me Real nuk ka qenë më e mirë, me 3 gola dhe 5 asiste të regjistruar në 78 ndeshje.

Më shumë nga La Liga