Seria A

Napoli mposht Juven, një gol në minutën e fundit hap kampionatin…

Një gol i shënuar në minutën e fundit nga qendërmbrojtësi Kalidou Koulibaly i ka dhënë Napolit një fitore të jashtëzakonshme, 1-0 në fushën e Juventus dhe praktikisht ka hapur kampionatin italian.

Kur kanë mbetur edhe katër javë nga fundi i Serie A, Juventus mbetet në krye me një pikë më shumë se napolitanët, por kalendari i “Zonjës së Vjetër” është shumë më i vështirë, pasi përfshin sfidat me Roma dhe Inter.

Në pjesën e parë, Juventus mendoi më shumë për t’u mbrojtur dhe vlen për t’u përmendur vetëm një shtyllë e goditur nga Miraliem Pjanic, gjatë një goditje dënimi të devijuar.

Qendërsulmuesi Gonzalo Higuain, që luante ndeshjen e 100-të zyrtare me Juventus në të gjitha veprimtaritë, e preku topin vetëm 9 herë gjatë gjithë pjesës së parë.

Nga ana tjetër, Napoli e kontrolli topin më shumë, por pati vetëm një rast kur kapiteni Marek Hamsik goditi jashtë kuadratit nga një pozicion i favorshëm me portën.

Në 45 minutat e dyta tabloja ishte e njëjtë dhe ndeshja nuk pati spektakël, Gianluigi Buffon bëri një pritje të rëndësishme ndaj tentativës së Jose Callejon, por kjo ishte shumë pak për të cenuar vendasit.

Por pikërisht kur gjithçka po i drejtohej barazimit, qendërmbrojtësi Koulibaly kërceu më lart se të gjithë gjatë një goditje nga këndi dhe mposhti Gianluigi Buffon, duke i dhënë fitoren e jashtëzakonshme skuadrës së Napoli.

Skuadra e Sarri beson te mrekullia…

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Seria A