Seria A

Napoli përmbys Lazio-n, fitojnë edhe Juventus me Milan-in

Lazio-Napoli ka qenë kryendeshja e javës së pestë të Serie A. Një takim ky që ka qenë me dy fytyra dhe që në fund është fituar nga Hysaj me shokë me rezultatin 4-1. Pjesa e parë është fituar nga bardhekaltrit, të cilët kanë gjetur golin me De Vrij në minutën e 30-të, por “axurrët” kanë arritur të përmbysin gjithçka në harkun e pesë minutave në pjesën e dytë. Koulibaly ka barazuar në të 54-ën, duke dërguar topin në rrjetë pas një pritje të bukur të Strakoshës. Dy minuta më vonë ka ardhur edhe goli avantazhi për miqtë, që kanë shënuar me Callejon. Mertens i ka siguruar tri pikët ekipit të Sarri-t në minutën e 59-të, me një gol të mrekullueshë. Në minutat e fundit ka ardhur edhe goli i katërt për napolitaën, me Jorginho që është treguar i saktë nga pika e  bardhë e penalltisë. Kjo fitore e ka rikthyer Napoli-n në vendin e parë, me pikë të barabarta me Juventus, por me një diferencë më të mirë golash.

Bardhezinjtë, në fakt, kanë bërë detyrën kundër Fiorentina-s, duke marrë fitoren e pestë radhazi në kampionat. Takimi i zhvilluar në “Allianz Arena” ka qenë shumë i luftuar dhe goli që ka vendosur ndeshjen ka ardhur në minutën e 52-të dhe është realizuar nga Manduzkic, i cili ka realizuar golin e tij të tretë në pesë ndeshje të luajtura kundër skuadrës vjollcë. Ky takim është mbyllur përfundimisht në minutën e 66-të kur miqtë kanë mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Badlej që ka shkaktuar faull ndaj Matuidi. Arbitri ka dhënë fillimisht penallti, më pas ka ndryshuar mendim duke dhënë një goditje dënimi jashtë zone, pasi ka konsultuar sistemin “VAR”.

Fitore edhe për Milan-in e Montella-s që ka mundur me rezultatin 2-0 ekipin e Spal në “San Siro”. Një penallti e Rodriguez në minutën e 26-të dhe një e Kessie në të 61-ën i kanë dhuruar tri pikët kuqezinjve. Kjo fitore ka ngjitur “Djallin” në vendin e katërt të klasifikimit me 12 pikë, tri larg kreut dhe vetëm një nga kushërinjtë e Inter. Në fund, Berisha ka fituar derbin shqiptar kundër Ajetit, me Atalanta-n që ka mundur 5-1 skuadrën e Crotone-s.

 

Më shumë nga Seria A