Seria A

Napoli “shpërbëhet” ndaj Roma-s në “San Paolo”

Napoli ka pësuar një goditje të rëndë në luftën për titull teksa është mposhtur bindshëm nga Roma me rezultatin e pastër 4-2. Ishte një ndeshje e pabesueshme për sytë e tifozëve vendas, të cilët prisnin një fitore për të mbajtur ritmin e Juve-s, që fitoi në sekondat e fundit ndaj Lazio-s falë golit të Dybala-s, por ndeshja me kalimin e minutave u kthye në një makth të vërtetë për napolitanët.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Lorenzo Insigne. Aty dukej sikur vendasit do të dominonin dhe do të fitonin ndeshjen e radhës ndaj një Roma në një formë të dobët, por dy gola të shpejtë të Cengiz Under dhe Edin Dzeko përmbysën gjithçka që në pjesën e parë. pas pushimit skuadra e Sarri-t dukej e nervozuar dhe mbase e ndikuar psikologjikisht nga triumfi i Juventus-it ndaj Lazio-s.

Vendasit nuk arritën për asnjë moment të futeshin në lojën e tyre teksa Roma i goditi me dy gola të tjerë brenda pesë minutave me Dzeko dhe Perotti. Një humbje e rëndë për Napolin, që tani mbetet një pikë përpara Juve-s por me një ndeshje më shumë. Ndërsa Roma është ngjitur në zonën Champions dhe do të presë një dhuratë nga Milan ditën e diel në derbi ndaj Inter-it për të ruajtur vendin në renditje. Në fund Mertens ngushton diferencën por goli i tij ishte më tepër ngushëllues se sa shërbente për ndonjë gjë tjetër.

 


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Seria A