Kampionati Shqiptar

Nderim Nexhipi emërohet drejtor i përgjithshëm te Kukësi

Kukësi e mbyll vitin 2017 me lajme surprizë. Presidenti Safet Gjici, pasi ka pritur në zyrën e tij ish-futbollistin Nderim Nexhipi, ka rënë dakord dhe e ka emëruar drejtor të përgjithshëm të klubit verilindor. Ky pozicion kishte mbetur vakant që pas largimit nga detyra të Dritan Dervishit. Jonuz Hallaçi do të mbetet shef i klubit, ndërsa Naim Halili menaxher i ekipit. Burime të sigurta të “telesport.al” mësojnë se kjo marrëveshje është arritur dje.

Nderim Nexhipi është njohës i mirë i Kategorisë Superiore dhe i futbollit shqiptar në tërësi. Është aktivizuar për Partizanin, duke qenë kapiten i këtij ekipi, ku edhe sot e kësaj dite është idhulli i tifozërisë së kuqe. Vitin e kaluar, në fazën e parë luajti për Korabin në Superiore, ndërsa në fazën e dytë kaloi te Drita e Gjilanit, ekip ku më parë ishte aktivizuar edhe i ati, duke mbyllur me futbollin e luajtur në Kosovë.

Kulmin e karrierës së tij Nderim Nexhipi e pati te Hertha Berlin dhe Wolfsburg në Bundesliga. Gjithashtu është aktivizuar me 3 ekipe në kampionatin maqedonas, por edhe me kombëtaret e vendit fqinj, duke kapur edhe ekipin e parë përfaqësues. Spikat dy herë aktivizimi me Shkëndijën e Tetovës, por gjithashtu Nexhipi ka luajtur edhe në Vlorë me Flamurtarin.

Nuk përfundon këtu karriera e Nexhipit, pasi ai ka luajtur edhe në Belgjikë me Lierse, në Azerbajxhan me Qarabag dhe në Rumani me Vaslui. Duke njohur shumë gjuhë të huaj, kontakte në shumë vende të Europës dhe njohës shumë i mirë futbollit rajonal (Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri), por duke zotëruar edhe një agjensi të veten menaxhimi futbollistësh, i jep përparësi në rolin e ri të drejtorit të përgjithshëm.

Detyra e parë e tij është emërimi i trajnerit të ri, që sipas të gjitha gjasave, është i huaj dhe të dy së bashku do të prezantohen më 2 janar, pasi më 4 janar ekipi do të niset në Turqi për fazën përgatitore, ku përveç miqësores me Bursaspor, po tentohet edhe një e tillë me gjigantët e Fenerbahces. Sipas informacioneve të “Telesport”, Nexhipi pritet të sjellë një trajner nga Gjermania ose Belgjika, vende ku ka luajtur më parë.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar