Kampionati Shqiptar

Ndeshje shumë e luftuar, por nuk ka fitues në Gjirokastër

Luftëtari – Flamurtari 1-1
Golat: Bregu 80’ / Juffo 26′
Luftëtari: Ruçi, Toledo (Janku 60’),, Beqiri, Zeqaj, O.Rapa, Ramadani, Aleksi, Rroca (D.Rapa 46’), Bregu, Abazaj, Lamçja (Pergjini 75’). Trajner: Hasan Lika
Flamurtari: Nurkoviç, Liçaj (A.Hoxhaj 54′), Bicaj, Jakovljeviç, Musta, Pollozhani, Sidibe, Useini, Juffo (Hyseni 87′), Alvesh (Kamarra 83’), Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro
Karton i verdhë: Aleksi 62’, O.Rapa 64’ / Juffo 7′, Sidibe 53’, Useini 64’, Jakovljeviç 64’, Bicaj 89′
Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Gernat Qirici, Ani Koçiaj

……………………………………………………………………………………………………………………………………………….

U luajt sot, prej orës 13:00, ndeshja përmbyllëse e javës së 13-të të Superiores. Në Gjirokastër, Luftëtari vendës priti Flamurtarin, në një ballafaqim të ethshëm për pikë nga të dyja palët. Bluzinjtë për t’iu larguar sa të mundin fundit të ftohtë të renditjes, ndërsa kuqezinjtë për të rifituar vendin e dytë dhe ushtruar presion ndaj Skënderbeut kryesues. Nga një gol në secilën pjesë loje, respektivisht për secilën skuadër, ka përmbyllur barazimin 1-1, që nuk i kënaq plotësisht palët. Ndeshja e ka rastin e parë interesant në minutën e 10-të. Bregu asiston Abazajn brenda në zonën mike, por portieri Nurkoviç tregohet i vëmendshëm, duke kapur topin para sulmuesit gjirokastrit. Sfida vijon me një mundësi të mirë shënimi për Luftëtarin (16′). Kundërsulm i shpejtë, por Rroca gjuan keq, jashtë kuadratit të Nurkovic, edhe pse në pozicion shumë të favorshëm.

Në minutën e 26-të del në dritë goli i parë i këtij ballafaqimi, me Flamurtarin që kalon në avantazh. Liçaj harkon një top nga e djathta për Juffo, i cili, i vetëm brenda zonës vendëse, e godet topin drejt e në rrjetë. Katër minuta nga fundi i pjesës së parë, bluzinjtë janë shumë pranë barazimit. Abazaj godet fort brenda zonës vlonjate, por pret mrekullisht portieri Nurkoviç. Në minutën e 43-të, portieri i Flamurtarit bën një gabim, që për pak i kushton golin e barazimit. Dejvi Bregu nuk e shfrytëzon si duhet mundësinë e krijuar. Pjesa e dytë është më ngulmuese për vendësit, që kërkojnë të barazojnë shifrat. Flamurtari aplikon kundërsulmin, me synimin për të dyfishuar rezultatin dhe mbyllur gjithçka. Në minutën e 53-të është një rrezik potencial në zonën vlonjate. Godet tokazi, brenda në zonë, Eri Lamcja, por pret portieri mik. Në minutën 67-të është Danilo Alves, që në dy goditje radhazi brenda zonës gjirokastrite, vë në provë portierin Ruçi, i cili pret në pozicion.

Minuta e 80-të do ta gjente të papërgatitur mbrojtjen vlonjate, e cila tenton pozicionin jashtë loje për Bregun. Sulmuesi vlonjat i Luftëtarit i vidhet prapavijës mike dhe vihet përballë portierit Nurkovic, duke shënuar dhe barazuar. Minutat e mëpastajme janë me përpjekje të dyanshme për fitoren, por nuk ka gol tjetër. Nga një pikë ndajnë dy skuadrat. Flamurtari, me këtë barazim, pozicionihet në vendin e katërt, në kuotën e 22 pikëve, aq sa ka edhe Kukësi. Luftëtari mbetet në gjendje kritike, teksa nuk po merr pikët e nevojshme për t’iu larguar fundit të klasifikimit as nën drejtimin e trajnerit Hasan Lika. Për momentin, gjirokastritët janë të parafundit, me 10 pikë.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar