Kampionati Shqiptar

“Ndjesa publike nuk mjafton”, kryebashkiakja Ademi flet për rënien e Vllaznisë

Kishte heshtur deri sot, kur u gjend para pyetjeve të gazetarëve në një ceremoni me rastin e 1 Qershorit, festës së fëmijëve, ku u vu “me shpatulla pas murit” në publik. Më pas ka reaguar përmes faqes së vet në Facebook, ku shfaqet në foto me disa emra të njohur të futbollit shkodran, të cilët, sipas gjasave, do të vijojnë t’i drejtojnë kuqeblutë në rrugën e mundimshme të rikthimit në Superiore, sezonin e ardhshëm.

Ja postimi i plotë i kryebashkiakes Voltana Ademi: “E vetëdijshme maksimalisht për situatën delikate që po kalojnë tifozët dhe futbolldashësit shkodranë dhe jo vetëm ata për mosarritjen e objektivit, qëndrimit në Kategorinë Superiore, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës dua të siguroj të gjithë qytetarët se prej dy javësh po bëhet një analizë e thellë dhe me përgjegjësitë konkrete për gjithsecilin.

Paralelisht, një grup pune po punon për mbylljen e dokumentacionit të vlerësimit të privatizimit. Ky është një moment jo i mirë për të gjithë ne, ku ndjesa publike e klubit nuk mjafton, por një analizë e thellë dhe një alternativë për një zgjidhje përfundimtare. Angazhimi im si kryetare e Bashkisë së Shkodrës nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë në asnjë moment për të rikthyer skuadrën tonë në elitën e futbollit shqiptar. 

Respekt për çdo tifoz, për të gjithë ata që janë thyer në zemër. I mirëkuptoj të gjithë, përfshirë edhe më radikalët karshi Voltanës dhe njëherësh i garantoj që angazhimi mbetet i jashtëzakonshëm për të gjetur forcën dhe për të nisur një rrugë të re.”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar