• Në Francë e vendosin: Di Maria drejt Barcelonës…

    Publikuar: 15 Mar 3:41

    Angel Di Maria mund të jetë një nga objektivat e klubit katalanas, në merkaton e verës së ardhshme. Siç është raportuar nga portali francez “Le 10 Sport”, Barcelona ka kontaktuar tashmë me anësorin e PSG-së për të hetuar nëse do të ishte i gatshëm për të luajtur në “Camp Nou”. Në fakt, sikurse kanë njoftuar edhe mediat spanjolle, sekretariati teknik i Barcelonës po planifikon të afrojë një yll, i cili zbulohet se është Di Maria. “Le 10 Sport” shkon pak më tej dhe siguron se kontakti i parë mes dy palëve ka qenë i mirë, duke treguar hapur se ish-lojtari i Real Madridit, i cili shënoi dy gola në fitoren 4-0 të PSG-së ndaj Barcelonës, në “Parc des Princes”, është i joshur nga kjo ide. Veshja e fanellës së Barcelonës do të ishte kompletim i mëtejshëm i karrierës së argjentinasit, pas eksperiencave me Real Madridin, Manchester United dhe PSG.

    Argjentinasi është paraqitur mirë në vitin 2017, por ende nuk e ka justifikuar investimin e lartë të klubit parizien. Ky i fundit e ka të vështirë, gjithsesi, të ndahet nga një lojtar, të cilin e ka rekrutuar për 64 milionë € rreth një vit e gjysmë më parë. Megjithatë, lista e kandidatëve për shërbimet e Di Marias është në rritje. Interesim ka pasur së fundi edhe nga Kina. Tianjin Quanjian duket se nuk ka hequr dorë. Pista europiane mbetet më joshëse për momentin. Veç Barcelonës, edhe dy klube të Seria A e kanë nën mbikqyrje argjentinasin. Fjala është për Interin dhe Juventusin. Me pak fjalë, nëse PSG-ja vendos ta shesë Di Marian, ankandin e ka gati.


    Lexo postimet e tjera