• Në superioritet numerik, Vllaznia pa fat ngec në shtëpi përballë Teutës

    Publikuar: 19 Mar 6:59

    Është mbyllur në barazim pa gola sfida e fundit e javës së 26-të mes Vllaznisë dhe Teutës. Një ndeshje në të cilën protagonist kryesor ka qenë fati, pasi shkodranët kanë goditur dy herë shtyllën, fillimisht në minutën e 5-të me Bakajn nga pika e bardhë e penalltisë, e më pas në minutën e dytë shtesë. Protagonist në këtë sfidë u bë jo pak edhe arbitri, i cili ka anuluar golin e realizuar nga Vllaznia me anë të Hebaj në të 82’, pas disa minutash proteste dhe kontestimesh nga ana e skuadrës durrësake, për tu detyruar më pas të akordojë jo pak por 7 minuta shtesë. Nga ana tjetër, skuadra e Teutës ka ditur të menaxhojë në mënyrë perfekte barazimin, ndonëse u detyrua të luajë për më shuëm se 40 minuta me 10 futbollistë, pas daljes së Prognit me karton të kuq, i ndëshkuar me dy të verdha brenda vetëm 5 minutash.

    Vllaznia-Teuta 0-0.

    Pjesa e parë

    Nuk vonon as pesë minuta nga fillimi i ndeshjes dhe vendasit kanë të gjitha shanset të kalojnë në avantazh dhe të marrin në duar frerët e lojës, pasi Ribaj ka prekur topin me dorë brenda zonë durrësake, duke shkaktuar një penallti të akorduar nga gjyqtari në favor të Vllaznisë. Është Bakaj ai që niset nga pika e bardhë e penalltisë, por topi i ekzekutuar nga bomberi i shkodranëve në këtë gjysmë të dytë të kampionatit ka goditur shtyllën. Sporadike ishin rastet në të dy kampet gjatë minutave të tjera të këtij fraksioni të parë loje, me Kalanë dhe Shtubinën që tentuan por pa sukses, ndërsa për Teutën ishte Ribaj ai që tentoi pa fuqinë e duhur për të kaluar portierin Selimaj.

    Vllaznia dhe Teuta ndajnë nga një pikë.

    Pjesa e dytë

    Vetëm 10 minuta nga rifillimi i lojës, Progni ka lënë skuadrën e Teutës me 10 futbollistë pasi u ndëshkua dy herë me karton të verdhë brenda vetëm 5 minutash. Është Bakaj ai që në të 67’ depërton në zonën e durrësakëve dhe godet fuqishëm, por topi përfundon jashtë kuadratit. U desh të vinte minuta e 82’ që Vllaznia të kalonte në avantazh me anë të të porsaaktivizuarit Hebaj, pas një krosimi nga Shtubina, por goli i kontestuar për disa minuta nga ana e skuadrës durrësake është anuluar më pas nga arbitri i cili më pas u detyrua të akordojë 7 minuta shtesë. Vllaznia i afrohet sërish golit, por fati nuk është me shkodranët, pasi topi godet shtyllën në minutën e dytë shtesë.

    Vllaznia-Teuta 0-0

    Vllaznia: Selimaj, Gurishta, Vrapi, Pjeshka, Gocaj, Krymi, Bardulla, Tafili, Shtubina, Kalaja, Bakaj.
    Trajner: Armando Cungu

    Teuta: Moçka, Beqja, R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli, Sykja, Dita, Çmajçanin, Progni, Musta, Ribaj.
    Trajner: Gugash Magani

    Arbitër: Olsi Sokoli

    Standings provided by Sofascore LiveScore


    Lexo postimet e tjera