Bundesliga

Neuer operohet me sukses, do të rikthehet në janar

Neuer operohet me sukses, do të rikthehet në janar

Manuel Neuer sot është operuar në këmbën e majtë pas dëmtimit që pësoi dje në stërvitje dhe, sipas konfirmimit zyrtar nga klubi i Bayern-it, do të mungojë deri në janar. Lajmi u zbulua që dje nga gazeta “Bild”, e cila paralajmëronte se portieri do të qëndrojë për disa muaj jashtë fushave.

Operacionin e ka kryer mjeku i mirënjohur gjerman, Ulrich Stöckle, i cili ka trajtuar edhe futbollistë të tjerë, si Franck Ribery dhe Bastian Schweinsteiger. Gjithçka ka shkuar me sukses dhe Neuer do t’i kalojë edhe pushimet e Vitit të Ri duke u rikuperuar.

Ngjarja e djeshme ishte shumë e dhimbshme për rekordmenët dhe sidomos vetë kapitenin Neuer, sepse ai sapo është rikthyer nga dëmtimi i fundit në të njëjtën këmbë. 31-vjeçari pati luajtur me probleme ndaj Real Madridit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar dhe u detyrua të operohej, për t’u rikthyer më 26 gusht.

“Operacioni ka shkuar shumë mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për tani. Po presim me padurim që kapitenin ta kemi sërish gati për lojë. Ai do të kthehet në forca të plota në janar”, – u shpreh shefi ekzekutiv i Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge.

Më shumë nga Bundesliga