Kampionati Shqiptar

Nexhipi ka një “peng” te Kukësi, finalen e Kupës së Shqipërisë

Një idhull për tifozërinë e kuqe, ish-kapiten i Partizanit, njeriu i derbit të madh të kryeqytetit, në sfidat kundër Tiranës, Nderim Nexhipi ka nisur një karrierë të re. Tashmë lashtë fushës së blertë, në rolin e drejtuesit te Kukësi. Në një intervistë për “Telesport”, ai analizon katër muajt e tij si drejtor sportive, flet për sezonin e verilindorëve dhe pritshmëritë afatshkurtëra dhe afatmesme te nëkampionët e vendit.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon shoqëruese të këtij shkrimi. Fillimisht, Nexhipi nënvizoi: “Për mua është një fillim i ri, me thënë të drejtën, pasi verën e kaluar e mbylla karrierën si futbollist aktiv. Një mundësi e mirë m’u dha nga presidenti Gjici, që të jem këtu te Kukësi si drejtor sportiv. E pranova këtë sfidë, sepse m’u duk shumë interesante. Këto katër muaj, nga janari e këtej, është një eksperiencë e re për mua, pasi nuk jam më në fushën e gjelbër, por mbrapa saj, në rol drejtuesi.

Nuk është se kemi bërë arritje të mëdha, por për një fillim, mendoj se ka qenë debutim i mbarë në këtë rol të ri. Kemi mundësinë të punojmë me një trajner si Pakult, një profesionist i vërtetë dhe një emër i madh. Gjërat kanë shkuar mirë deri tani. Në këto katër muaj nuk është se jemi të pakënaqur. Kemi bërë gjëra të mira së bashku me ekipin.

Nëse do të ishim nesër në finalen e Kupës së Shqipërisë, do të ishte me të vërtetë një sezon shumë i mirë. Sidoqoftë, e kemi arritur objektivin që kishim parësor, kur erdhëm bashkë me Pakult, të kapnin vendin e dytë, pasi titulli, nisur nga pikët tona dhe të Skënderbeut, ishte shumë larg.  Bëmë një garë të mirë deri në fund dhe me plot meritë jemi në vendin e dytë”.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar