Kampionati Shqiptar

Nexhipi prezantohet te Flamurtari, bën për vete vlonjatët

Ashtu siç ishte parashikuar, Nderim Nexhipi është prezantuar si futbollisti më i ri i Flamurtarit, duke nënshkruar një kontratë 1+1. Në një atmosferë miqësore dhe me batuta, ish-kapiteni i Partizanit ka falënderuar drejtuesit vlonjatë për besimin që kanë ndaj tij, ndërsa nuk ka preferuar të komentojë debatin me trajnerin Starova, duke e quajtur të mbyllur kapitullin me të kuqtë dhe duke hapur një aventurë të re, atë me fanellën kuqezi, teksa ka premtuar maksimumin për ekipin vlonjat.

nexhipi 2

Nderim Nexhipi me fanellën e Flamurtarit pas prezantimit

“Së pari, falënderoj drejtuesit vlonjatë për besimin ndaj meje. Njëkohësisht falënderoj edhe tifozët e Flamurtarit, të cilët më kanë përshëndetur sapo kam mbërritur në Vlorë, një suport që do të thotë se rritet akoma më shumë përgjegjësia. Do të jap maksimumin tim për Flamurtarin, ashtu siç kam luajtur gjatë gjithë karrierës sime. Do të punoj shumë që ekipi të arrijë objektivat që ka vendosur në sezonin e ri. Kam ardhur në një klub që ka traditë dhe kjo më vë para përgjegjësisë, shpresoj të lë gjurmët e mia, duke fituar trofe me Flamurtarin”, – është shprehur Nexhipi.

Flamurtari-Partizani-0-0-G.Lika-dhe-perballe-muri-mbrojtes-me-Krasniqin-e-Nexhipin

Nga ndeshja e sezonit të kaluar Flamurtari-Partizani, 0-0. G.Lika përballë murit mbrojtws, me Krasniqin e Nexhipin

I pyetur për situatën te Partizani, për konfliktin me trajnerin Starova, Nexhipi nuk ka dashur t’i hedhë “benzinë zjarrit”, kjo në të mirë të ekipit të kuq, duke ruajtur respektin për tifozët dhe presidentin. “Nuk dua të komentoj largimin tim te Partizani. Është një kapitull i mbyllur tashmë. Jam këtu te Flamurtari dhe nuk mund të flas për të kaluarën, më duhet të shoh përpara, nuk është etike që në prezantimin tim të diskutoj për diçka që s’ka lidhje me Vlorën. Personalisht, e quaj të mbyllur me Partizanin dhe i uroj suksese. Falënderimet për tifozët e kuq dhe të tjerët që më kanë respektuar i bëra dje, sot nis një aventurë të re”, – ka deklaruar Nexhipi.

parrulla

Parrullë e tifozëve të Partizanit për Nexhipin

Por ajo që ka rënë në sy, menjëherë pas prezantimit, ka qenë se tifozët e grupimit “Flota Kuq e Zi” e kanë pritur shumë mirë, madje kanë nxituar ta urojnë për zgjedhjen që ka bërë dhe duke shkrepur edhe fotot e para me fansat e tij. Nexhipi duket si magnet për tifozët, duke krijuar përshtypja të mira kudo që luan. A do të arrijë Nexhipi të hyjë në zemrat e tifozëve vlonjatë, ashtu si te Partizani. Kjo mbetet për t’u parë, por fillimi është i mirë.

[total-poll id=58575]

Më shumë nga Kampionati Shqiptar