Futboll

Lamtumirë Cavani, ja kush kërkon “eliminimin” e tij

Pas eliminimit të Brazilit dhe Uruguajit nga Botërori rikthehet rivaliteti mes dy sulmuesve të PSG-së, Neymar dhe Cavani, por tashmë i përfshirë në këtë çështje është edhe një sulmues tjetër, Suarez. Sipas të përditshmes spanjolle “Sport”, sulmuesi brazilian Neymar i ka kërkuar klubit parizien që të largojë nga skuadra sulmuesin uruguajan Edinson Cavani dhe të afrojnë një tjetër sulmues të kombëtares uruguajane, Luis Suarez, që luan me Barcelonën.

Duket se ka qenë ky kushti kryesor që Neymar i ka kërkuar drejtuesve të PSG-së për të qëndruar te kampionët e Francës edhe vitin tjetër. Marrëdhënia mes “Matador” dhe “O’Ney” nuk është e mirë, pasi disa herë janë zënë gjatë sezonit të fundit, ndaj sulmuesi brazilian kërkon të ketë si partner në sulm ish-shokun e skuadrës te Barcelona. Në rast se kjo lëvizje nuk do të ndodhë, atëherë Neymar mund të largohet nga PSG-ja për t’u rikthyer në Spanjë, me Realin.

Për momentin kjo kërkesë e sulmuesit brazilian nuk konfirmohet nga drejtuesit e klubit parazien, ndërkohë që si Neymar ashtu dhe Cavani janë ende me pushime, pas eliminimit që kombëtaret e tyre patën në Botëror. Në rast se Cavani largohet, atëherë destinacioni i tij mund të jetë sërish Italia, me Napoli e Juventus që janë në “pole” për të marrë sulmuesin uruguajan. Por mbetet edhe për t’u parë mundësia që Barcelona të lërë të lirë të largohet Luis Suarez.

Më shumë nga Futboll