Kampionatet në Europë

Neymar: Unë nuk jam i fiksuar pas “Topit të Artë”

Ylli i PSG-së, Neymar, këmbëngul se trofetë e ekipit janë më të rëndësishëm për të se sa të fitojë “Topin e Artë” të parë. Braziliani u bashkua nga Barcelona me parizienët për një transferim rekord botëror prej 222 milionë eurosh muajin e kaluar, një masë që shumë konsiderohet të jetë e motivuar nga dëshira e tij për të shpëtuar nga hija e Lionel Messit dhe të sfidojë për çmimin më të lartë individual të futbollit. Forma e Neymar për skuadrën e “Ligue 1” ka shtuar sigurisht peshë për çdo shpresë në fitimin e çmimit. 25-vjeçari që ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë pesë asiste në disa ndeshje ishte frymëzues për PSG-në në fitoren 5-0 ndaj Celtic, të martën.

Megjithatë, ish-njeriu i Santos-it thotë se fokusi i tij është të ndihmojë ekipin për të shijuar suksesin, në vend që të pretendojë sukseset individuale. “Sigurisht që një lojtar futbolli dëshiron të fitojë “Topin e Artë”, – tha ai pas fitores së Ligës së Kampionëve, në Glasgow. – Por unë nuk duhet të mendoj për këtë. Më duhet të mendoj për atë që është më mirë për grupin tonë, për klubin tonë. Ky është një ekip i shkëlqyeshëm dhe nëse vazhdojmë kështu, ne kemi një shans të madh për ta fituar turneun. Unë jam shumë i lumtur të filloj me një fitore, natyrisht, jo vetëm në lidhje me gjetjen e golave, por kjo është më e rëndësishmja. Kjo është ajo për të cilën kam ardhur këtu, jam shumë i lumtur me këtë lojë”.

Edinson Cavani dhe Kylian Mbappe ishin gjithashtu shënues golash, duke përftuar “tridentin” e frikshëm të PSG-së. Megjithatë, Neymar thotë se ata janë ende duke u përdorur për të luajtur së bashku me njëri-tjetrin. “Ata janë dy lojtarë të mëdhenj, – tha braziliani për Cavani dhe Mbappe. – Po njohim ende njëri-tjetrin. Cavani është një sulmues i jashtëzakonshëm, Kylian është një djalë që i pëlqen të shkojë përpara. Do ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë. Është e lehtë kur luani me lojtarë inteligjentë. Ende nuk kemi një mirëkuptim të plotë mes nesh: nëpërmjet një vështrimi, një lëvizjeje, por ne do të bëhemi më mirë hap pas hapi”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë