Futboll

Nga analizat te kafja, Mema: Tirana, kampione me ndihmë të Zotit!

Duhej dhe një prezantim formal për media, pasi realin trajneri i ri i Tiranës, Ardian Mema e ka bërë duke punuar me skuadrën. Pasditen e sotme, para seancës stërvitore të bardheblu, kryepankina e 24 herë kampionëve të vendit u përball me pyetjet e gazetarëve dhe tregoi përshtypjet e tij të para për kampin tiranas. E ka bërë pa bujë, pa prezantim me presidentin në krah, pasi ndoshta Halili është mjaftuar me daljen publike krah Ze Marisë. Dikush mund të thotë se respekti ndaj Ze Marisë ka qenë i tepruar dhe ndaj Memës mungon, por pak rëndësi ka tashmë.

Mema, si e pritët ftesën për të drejtuar Tiranën në këtë situatë ku ndodhet?
Tirana është klub i madh. Unë kam dalë nga ky klub. Ftesën e prita me skepticizëm, pasi situata që po kalonte nuk ishte e mirë. Pashë dhe kalendarin dhe është shumë i vështirë, pasi kemi 3 ndeshje jashtë. I gjithë grupi së bashku mund ta kalojmë këtë situatë.

Me aq sa keni parë tek ekipi, çfarë mund të ndryshoni?
Nuk m’u desh shumë kohë për të kuptuar anën psikologjike të lojtarëve, vetëm 10 minuta. Lojtarët nuk janë mirë. Unë kam folur shumë me ta këto dy ditë dhe më ka mjaftuar për të kuptuar të gjithë problematiken që ka kjo skuadër përbrenda. Duhet kuptuar se ndryshimi nuk ndodh vetëm, por duhet të ulim kokën të gjithë bashkë dhe të punojmë për të arritur rezultatet dhe të dalim nga situata ku ndodhemi. Tifozët e bardhebluve janë shumë sensibël dhe e duan gjithmonë Tiranën në vendet e para.

Si ju duket ekipi me kaq shumë të huaj? A e ndjejnë ata fanellën sa ju?
Duhet që grupi të kuptojë historinë e Tiranës, se si ka qenë ky klub dhe se si duhet të jetë. Do të mundohemi të fusim frymë të mirë në ekip.

Latë Flamurtarin, por ndeshjen e parë e keni kundër tyre. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Flamurtarin e falenderoj shumë, pasi më pritën mirë. U ndamë goxha mirë, pasi më lanë të vija te Tirana. Flamurtari është ekip i mirë, pasi ka trajnerin më të mirë në Shqipëri, Ilir Dajën. E njoh mirë se kam punuar shumë gjatë me të. E njoh ekipin e Flamurtarit dhe do ta përgatis si duhet skuadrën time.

Daja apo ju jeni më të favorizuar në duelin e njohjes së rivalit?
Them që është Daja, pasi ai ka kohë që punon bashkë me mua. Ne nuk jemi të dorëzuar, por shkojmë të marrim rezultat pozitiv në Vlorë.

Si është situata me dëmtimet?
Nuk kam ardhur në kohë të mirë, pasi dëmtimet kanë bërë të veten. Blazhevski ishte i fundit që u dëmtua. Nuk ka probleme serioze, fatmirësisht.

Sa i kënaqur jeni me kontigjentin e lojtarëve që keni në dispozicion?
Kur je në kohë merkatot, bën zgjedhjet e tua dhe vazhdon me filozofinë tënde. Në kushtet që jemi tani do të përshtatem unë me futbollistët. Disa nga lojtarët që gjej më pëlqejnë, disa mund të kenë probleme në filozofinë time.

E vështirë të gjeni ekuilibrat?
Koha nuk është e mjaftueshme, por duhet pak kohë që të  kuptojnë filozofinë time. Kjo javë do të jetë e ngarkuar, pasi do të nisë me analiza. Të mërkurën analizë me video, ndërsa më pas një kafe me gjithë lojtarët.

A e ka Tirana brumin për të arritur objektivat që ka klubi?
Nuk dua të flas për objektivat. Duhet të dalim nga kjo gjendje dhe pastaj mund të flasim për objektiva.

Presidenti Halili tha se do të vendosë vetë për gjithçka. Në merkaton e janarit do të vendosni ju, apo ai?
Do të vendos unë për lojtarët, kjo është e padiskutueshme. 

Nëse Zoti do t’u plotësonte një dëshirë sot, cila do të ishte?
Tirana kampion!

Më shumë nga Futboll